Bota

ShBA i kërkon Kinës të bëjë presion mbi Korenë e Veriut

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i bëri thirrje Kinës të bëjë më shumë presion mbi Korenë e Veriut, për shkak të programit të saj me armë bërthamore dhe raketa balistike.

Duke folur në Uashington, pas bisedimeve midis zyrtarëve amerikanë dhe kinezë, Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Korenë e Veriut kërcënim kryesor të sigurisë.

Tillerson tha se Pekini ka përgjegjësi për t’i bërë presion Koresë së Veriut edhe në aspektin ekonomik, edhe atë diplomatik.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se vdekja, këtë javë, e një studenti amerikan, i cili ka qenë i burgosur në Korenë e Veriut, është dëshmi e një regjimi që “provokon dhe provokon”.

Mattis tha se edhe ShBA, edhe Kina ndajnë qëllimin e përbashkët për çarmatosjen e Gadishullit Korean.

Tillerson dhe Mattis takuan këshilltarin shtetëror të Kinës, Yang Jiechi, dhe shefin e shtabit të ushtrisë kineze, gjeneralin Fang Fenghui.

Koreja e Veriut ka kërcënuar se së shpejti do të ketë kapacitet për të sulmuar ShBA-në me raketë bërthamore.

Kina është aleati më i madh i Koresë Veriore. Pekini mund ta kushtëzojë Phenjanin, pasi kontrollon pjesën më të madhe të tregtisë së tij.

Komentoni