Bota

ShBA: Debat i ashpër i kandidatëve për zëvendëspresident

Kandidati republikan për zëvendëspresident amerikan, Mike Pence, është kërcënuar me përdorim të forcës kundër caqeve të qeverisë së Sirisë, nëse Rusia e vazhdon “sulmin barbar” të saj në Alepo.

Këto komente ai i bëri mbrëmë vonë sipas kohës amerikane gjatë debatit të ashpër televiziv me kandidatin demokrat, Tim Kaine.

“Nëse Rusia zgjedhë të jetë e involvuar dhe vazhdon… në këtë sulm barbar në Alepo, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta përdorin forcën ushtarake për t’i sulmuar caqet e regjimit” të presidentit Bashar al-Assad, tha Mike Pence, që është guvernator i shtetit Indiana.

Kandidati presidencial republikan, Donald Trump, më herët gjatë ditës ka sugjeruar se Rusia e ka shkelur armëpushimin në Siri, pasi nuk i respekton Shtetet e Bashkuara, por ai nuk tha se do të ndërmerr aksion ushtarak për tu përgjigjur.

Senatori demokrat nga Virxhinia, Tim Kaine, i cili garon së bashku me kandidaten për presidente, Hillary Clinton, e akuzoi Donald Trumpin se e ka idol presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe taktikat e tij të përdorimit të armatimit.

“Donald Trump, përsëri e ka lavdëruar Vladimir Putinin dhe është e qartë se ai ka raporte biznesore me oligarkët rusë…të cilat ai refuzon t’i zbuloj”, tha Tim Kaine.

Komentoni