Lajme

Shala: Sulmet nuk na frikësojnë

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së Mentor Shala ka thënë se sulmi i mbrëmshëm që ka ndodhur në RTK është një sulm kundër lirisë së shprehjes dhe kundër lirisë së mediave, të cilat janë themelet kryesore të demokracisë së secilit vend.

Shala gjithashtu tha se këto sulme nuk frikësojnë aspak stafin e RTK-së, por ato vetëm inkurajojnë edhe më shumë ata që të kryejnë raportimet e tyre ashtu siç e do misioni i gazetarit.

“Ky është njëri prej sulmeve më të rënda që ka ndodhur kundër lirisë së shprehjes, kundër lirisë së mediave, që janë themelet kryesore të demokracisë së secilit vend. Ajo që mund të them është që ju bëjë thirrje edhe partive politike sidomos disa subjekteve politike të cilët e kanë ashpërsuar gjuhën e urrejtjes kundër transmetuesit publik, gjuhën kërcënuese e shantazhuese që të ndalin këtë fjalor, për shkak se këtë mund dikush tjetër të shfrytëzoj për qëllime të cilat na kanë ndodhur edhe natën e mbrëmshme. Gjithashtu ky është një sulm për të frikësuar stafin e RTK-së, gazetarët, redaktorët që të jenë të kujdesshëm në situatat dhe zhvillimet politike që po ndodhin në vend, por në fakt jo vetëm që nuk na ka frikësuar, por edhe na kanë inkurajuar edhe më shumë që ta kryejmë punën tonë, ashtu siç e do misioni i gazetarit që të jemi ta paanshëm në raportimet tona”, tha Shala.

Ndërsa Policia e Kosovës ka deklaruar se ende nuk ka asnjë të dyshuar në lidhje me sulmin që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00.

Sipas Policisë hetimet për këtë rast janë ende duke vazhduar. Sulmin ndaj RTK-së e kanë dënuar presidenti i vendit Hashim Thaçi, Qeveria e Kosovës, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, partitë politike, AGK, si dhe institucione tjera. 

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*