Kosova

Selmanaj: AAK ka qenë dhe është kundër formatit të Gjykatës Speciale

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj, ka theksuar se qëndrimi i kësaj partie mbetet i njëjtë rreth Gjykatës Speciale.

Ai në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se ai ka qenë njëri nga nënshkruesit e iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Specialen dhe mbetet në këtë qëndrim.

“Unë deri në këtë moment nuk di që ka tërheqje të ndonjë nënshkrimi për këtë çështje. Ne si parti kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi kundër kësaj gjykate dhe për këtë arsyet janë të ditura. E mbështesim ta kemi një gjykatë që do t’i trajtoj të gjitha krimet, e jo vetëm një etnike e ta ketë selinë në Prishtinë. Nëse vije në Kuvend ne e mbajmë të njëjtin qëndrim”, ka shtuar Selmanaj.

Ai ka folur edhe për deklarimet e shefit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, i cili ka shkruar se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet, duke theksuar se ky deklarim është i vonshëm, por që sipas tij, në fund janë deputetët që vendosin individualisht për këtë temë.

Selmanaj ka thënë se gabimi i madh ka ndodhur në vitin 2015, kur është lejuar që të ndodhë votimi në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Speciales.

Komentoni