Lajme

Selimi: Nëse cenohet territori, Mali i Zi dhe Serbia në telashe

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, është i njëjtit mendim me kolegun e tij të partisë, Albin Kurti, se nëse cenohet territori i Republikës së Kosovës, atëherë çdo shtet do të futet në telashe me vendin tonë.

Këto komente Selimi i ka bërë gjatë një prononcimi për “Indeksonline”, duke shtuar se është në pajtim me deklarata e ish-liderit të LVV-së lidhur me çështjen e demarkacionit me shtetin fqinjë.

“Ajo çfarë ka thënë Albini është se është shmangur konflikti. Por, po të futej ushtria e Malit të Zi nëpër territorin e Republikës Kosovës do të kishte telashe. Po të futet nesër Serbia brenda territorit do të ketë telashe”, ka thënë ai.

Më tej, Selimi thotë se kufijtë e një vendi të përcaktuar dhe të njohur janë për t’i shmangur keqkuptimet dhe se, sipas tij, Kosova nuk ka kufij të përcaktuar me Serbinë, të kontestuar me Malin e Zi si dhe të padrejtë me Shqipërinë.

“Dua të them edhe njëherë që ushtritë konvencionale në botë ekzistojnë për ta mbrojtur një vend dhe për të shmangur konflikte më shumë se sa për të bërë luftëra. Kosova nuk ka ushtri. Do të ishte lajm i mirë kurdo që ne të na thoshte sot që në Kosovë nuk do të ketë probleme tash e 10 vjetët e ardhshme si dhe nuk do të ketë asnjë lloj telashe”, është shprehur ai.

Sipas deputetit të “Vetëvendosjes”, Serbia dhe strukturat paralele nuk mendojnë për të mirën e vendin tonë.  Përgatitja, siguria dhe mbrojtja nuk janë asnjëherë agresivitet dhe thirrje për luftë.

“Përkundrazi është thirrje për shmangie luftë. Kështu duhet të kuptohet sepse nganjëherë po keqinterpretohen gjërat, nganjëherë me qëllim e pa qëllim”, është shprehur ai.

Ndërsa qasja e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe të Kosovës, sipas Selimit, janë të sinkronuara “anti-Vetëvendosje”. Mirëpo, Selimi thotë se kjo nuk do të duhej të ishte problem edhe për pushtetin në Kosovë në këtë fushë.

“Unë e di se Aleksandër Jabllanoviqi jo vetëm Albin Kurtin, por edhe mua dhe çdo shqiptar ose do ta donte në burg ose jashtë Kosovës. Por dëshirat e tija nuk duhet t’i plotësoj askush, as Qeveria apo institucionet e sigurisë së Kosovës. Ai e dëshiron Serbinë në Kosovë dhe regjimin e Millosheviqit këtu gjë që nuk do të duhej të konsiderohet ndonjëherë”, është shprehur ai. 

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*