Kosova

Sejdiu: S’ka rëndësi kush është kryeministër (Video)

Nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu, në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, ka thënë se partia që përfaqëson ai do të kishte më shumë mandate në Kuvend, sikur të mos ishte në koalicion me LDK-në. Madje, në rast se koalicioni parazgjedhorë do të bëhej me Vetëvendosjen, Sejdiu thotë se do të dilnin të parët në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Është e natyrshme, sepse votat tona do të barteshin dhe do të shkonin te dikush që ka tregu një rritje të jashtëzakonshme nga zgjedhjet e kaluara. Dhe, ka mundësi që do të dilnim të parët, si koalicion, sikur të ekzistonte një koalicion i tillë. Por, kjo është një shikim mbrapa, që nuk e dimë çka do të ndodhte, as se a do të kishte sinergji mes dy subjekteve”, tha ai.

Ai e përjashtoi mundësinë që të bashkëpunohet me koalicionin PDK-AAK-NISMA (PAN), ndërsa tregon se po presin “dështimin e këtij koalicioni, për t’ua dhënë mundësinë e mandatarit të dytë”.

Por, Sejdiu nuk e sheh problem postin e kryeministrit, sepse “prioritet duhet të ketë programi qeverisës VV-LAA”.

“Një sistem i keq e mposht një njeri të mirë kurdoherë, e një sistem i mirë e mund njeriun e keq kurdoherë. Kështu, nuk është shumë e rëndësishme kush është ministër apo kryeministër, por të kemi strategji konkrete”, tha ai.

Ai tha se PAN ka tentuar që të kontaktojë deputet të AKR-së në formë indirekte, por nuk ka pas ndonjë tentim direkt ndaj tij.

Sejdiu ka thënë se AKR e vetme, do të kishte më shumë deputet. Ai madje, thotë se për gati dyfishin e deputetëve më shumë do t’i kishin, po të ishin të vetëm.

Komentoni