Kosova

Sa na kushton “Ushtria e Gjeneralit”

Kryeministri Haradinaj ka pas vetës më shumë ministra e zëvendësministra se sa që ka ditë pune. Në ditën e 86-të të punës së tij, Haradinaj ka pas plot 87 vartës: zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra.

Në Qeverinë Haradinaj bëjnë pjesë 5 zëvendëskryeministra, 3 prej të cilëve mbajnë dhe pozitën e ministrit, 21 ministra dhe deri më tani 64 zëvendësministra.

Haradinaj i ka emëruar vetëm 7 gra nga 87 emërime. Kjo Qeveri nuk ka asnjë zëvendëskryeministre. Janë emëruar dy ministre dhe 5 zëvendësministre. Ose thënë ndryshe, janë vetëm 8% gra që kryeministri u ka besuar detyrën.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka gjetur se përveç pagave të majme, secili nga të emëruarit ka të drejtë në shofer, asistent dhe me disa përjashtime edhe këshilltar politik.

Në Qeverinë Haradinaj janë dy ministri më shumë krahasuar me Qeverinë Mustafa. Kjo e fundit kishte 21 ministra, por dy nga ta ishin pa portofol.

Përveç numrit të ministrive, Qeveria Haradinaj e ka thyer edhe rekordin e zëvendësministrave të emëruar.

Në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit dhënë “Gazetës JNK” thuhet se Qeveria Mustafa kishte emëruar 45 zëvendësministra në 19 ministri.

Sipas përgjigjes së Zyrës së Kryeministrit, deri sot të emëruar janë 64 zëvendësministra.

Në mungesë të ligjit, lartësitë e pagave të autoriteteve të larta të administratës shtetërore janë të caktuara me vendim të kryeministrit.

Sipas Ministrisë së Financave, rroga bruto e kryeministrit është 1 mijë e 443 euro e 20 centë, ndërsa rroga e një zëvendëskryeministri është 1 mijë e 356 euro e 30 centë.

Sipas kësaj i bie që për 5 zëvendëskryeministra për një muaj shpenzohen 6 mijë e 781 euro e 50 centë, ose 81 mijë e 378 euro në vit.

Nëse ata arrijnë ta mbajnë mandatin e plotë vetëm për pagat e tyre shteti do të shpenzojë 325 mijë e 512 euro.

Ministria e Financave ka thënë se paga bruto e ministrit është 1 mijë e 270 euro e 50 centë.

Rrjedhimisht 18 ministra (3 paguhen si zëvendëskryeministra) për një muaj paguhen nga arka e shtetit 22 mijë e 869 euro.

“Gazeta JnK” ka gjetur se për një vit, ministrat e Qeverisë Haradinaj vetëm për paga i shpenzojnë 274 mijë e 428 euro. Kurse për një mandat shpenzimi i shtetit për këta ministra arrin në 1 milion e 97 mijë e 710 euro.

Gazeta ka marrë përgjigje nga ministria e Financave edhe për nivelin e pagave të zëvendësministrave.

Ata kanë një pagë mujore bruto prej 1 mijë e 182 euro e 50 centë.

Për 64 zëvendësministrat e emëruar nga Haradinaj, shteti për një muaj shpenzon 75 mijë e 680 euro dhe 908 mijë e 160 euro për një vit. Për 4 vite mandat, shteti vetëm për pagat e zëvendësministrave shpenzon 3 milionë e 632 mijë e 640 euro.

Në total i bie që Qeveria e Haradinajt vetëm për paga për një muaj shpenzon 106 mijë e 773 euro. Për një vit 1 milion e 281 mijë e 276 euro. Për një mandat 5 milionë e 125 mijë e 104 euro.

Potenciali për rritje të numrit të zëvendësministrave

21 ministritë e vendit nuk kanë numra të zëvendësministrave në mënyrë të barabartë. Madje, ka ministri që ende nuk ka asnjë zëvendësministër, ndërsa ka ministri që deri tash ka 6 zëvendësministra.

Shembull, ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, nuk ka asnjë zëvendës/e. Ndërsa kolegia e saj në Ministrinë e Ambientit, Albena Reshitaj ka 6 zëvendës.

Në listën e zëvendësministrave të emëruar deri tash në Qeverinë Haradinaj, të cilën “JNK” e ka siguruar nga ZKM, 64 zëvendësministrat janë të shpërndarë në këtë formë nëpër ministri:

Ministria e Integrimeve dhe Ministria e Administratës Publike nuk kanë të emëruar asnjë zëvendësministër. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Inovacionit kanë vetëm një. Ministria e Drejtësisë, Ministria e FSK-së dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë nga dy zëvendësministra.

Ministritë që deri më tani i kanë nga tre zëvendësministra janë: ajo e Infrastrukturës, Zhvillimit Rajonal, Financave, Punëve të Brendshme, Bujqësisë dhe Ministria e Diasporës.

Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria për Komunitet dhe Kthim dhe Ministria e Kulturës kanë nga katër. Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Arsimit kanë nga pesë. Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Punës e Mirëqenies kanë nga gjashtë zëvendësministra.

Dyfishimi i Këshilltarëve

Kryeministri kishte të drejtë të emëronte deri në 12 këshilltarë politikë në bazë të Rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive. Kjo Rregullore kishte hyrë në fuqi me datën 22 mars 2011.

Referuar nenit 21, pika 1 të Rregullores për fushat e përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave thuhet se kryeministri mund të emërojë deri në 12 këshilltarë politikë.

Por, me ndryshim-plotësimin e kësaj Rregulloreje, numri i këshilltarëve rritet për 9 dhe kryeministri mund të emërojë deri 21 këshilltarë politikë.

Në nenin 2 të Plotësim-Ndryshimit të kësaj Rregulloreje thuhet: “Te neni 21 paragrafit 1, pas pikës shtohet teksti si në vijim: “Kryeministri, gjithashtu mund të emërojë edhe nga një (1) këshilltar politik për secilin nga komunitetet nga radha e komunitetit serb, turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian, goran, malazez dhe kroat”.

Përveç kryeministrit, në këtë Rregullore ceket se edhe ministrat kanë të drejtë të emërojnë nga një këshilltar që vjen nga komunitetet pakicë.

Sipas të njëjtës Rregullore kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat emërojnë një nga këshilltarët politikë në cilësinë e Këshilltarit të Lartë Politik.

Rrjedhimisht në secilin nga kabinetet ka nga një këshilltar të lartë politik, që sipas Ministrisë së Financave ka pagën 693 euro bruto. Që i bie në Qeverinë Haradianj janë më së paku 24 Këshilltarë të Lartë Politikë [Kryeministri, 5 zëvendëskryeministra dhe 18 ministra (3 plus janë zëvendëskryeministra)].

Pra, ky kalkulim është bërë nën supozimin që secili nga të emëruarit (kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat) kanë vetëm nga një Këshilltar të Lartë Politik.

Vetëm për Këshilltarët e Lartë Politikë shteti paguan 16 mijë e 632 euro vetëm paga për një muaj.

Nëse e kalkulojmë këtë shifër në 12 muaj, atëherë kosto për pagat e këshilltarëve të lartë politikë arrin në 199 mijë e 584 euro, ndërsa për një mandat 798 mijë e 336 euro.

Bazuar në përgjigjet e Ministrisë së Financave, një këshilltar politik ka pagën 577 euro e 50 centë. Që i bie për 20 këshilltarë politikë, nëse e shfrytëzon të drejtën që ia jep Rregullorja, kabineti i Haradinajt në muaj mund të paguajë 11 mijë e 550 euro. Në vit 138 mijë e 600 euro, ndërsa për një mandat më shumë se gjysmë milioni, ose 554 mijë e 400 euro.

Zëvendëskryeministrat dhe ministrat kanë të drejtë të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë. Por, me plotësim-ndryshimin e Rregullores së lartcekur, atyre u shtohet edhe një këshilltarë nga komunitetet.

Në nenin 3 të saj, thuhet “Ministrat, gjithashtu mund të emërojnë një (1) këshilltar politik nga komunitetet”. Që i bie nga 6 këshilltarë sa kishin të drejtë, tash mund të emërojnë 7.

Rrjedhimisht zëvendëskryeministrat dhe ministrat (gjithsej janë 23) mund të emërojnë në total 161 këshilltarë politikë, nën supozimin që bëjnë emërimin e këshilltarëve në përputhje me numrin maksimal të këshilltarëve të lejuar nga Rregullorja. Heqim këtu 23 këshilltarët e lartë politikë, i bie që 138 këshilltarë të mundshëm të të gjitha ministrive i kushtojnë shtetit 79 mijë e 695 euro në muaj. 956 mijë e 340 mijë euro në vit, ose 3 milionë e 825 mijë e 360 euro për një mandat.

Shoferët dhe Asistentët

Në nenin 33 të Rregullores për fushat dhe përgjegjësitë e kryeministrit dhe ministrave, përcaktohet edhe numri i nëpunësve nëpër kabinete, të cilët nuk janë nëpunës civilë dhe u pushon mandati me përfundimin e mandatit të eprorit të tyre. Në këtë rregullore thuhet se kryeministri mund të emërojë deri në 15 të punësuar në kabinetin e tij. Pra, këta nuk janë këshilltarë, por janë nëpunës.

Zëvendëskryeministrat mund të emërojnë deri në 4 të punësuar, ndërsa zëvendëskryeministrat që mbulojnë edhe ministri mund të emërojnë deri në 5 të punësuar në kabinet. Ministrat mund të emërojnë deri në 4 të punësuar në kabinet. Ndërsa, zëvendësministrat mund të emërojnë deri në 2 të punësuar në kabinet. Zëvendësministrat me miratim të ministrave mund të kenë edhe një këshilltar në dispozicionin e tyre.

Secili nga këta 88 zyrtarë të lartë ka të drejtë në një shofer, që i bie kryeministri, zëvendësit e tij, ministrat dhe zëvendësit e tyre. Pra, janë 88 shoferë që duhet të punojnë për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrave. Fakti që secili nga ta ka një shofer të punësuar, i bie që secili nga ta e shfrytëzon një veturë.

Duke i anashkaluar shpenzimet për karburante, do të kalkulojmë vetëm pagat e vartësve të të emëruarve të kryeministrit.

Paga bruto e një shoferi të ministrit, sipas Ministrisë së Financave, është 407 euro e 55 centë. Rrjedhimisht për 88 shoferë të zyrtarëve të lartë shteti në muaj paguan 35 mijë e 864 euro. Për një vit 430 mijë e 372 euro, ndërsa për një mandat 1 milion e 721 mijë e 491 euro.

Secili nga zëvendësministrat kanë të drejtë të kenë edhe një asistent. Asistentët ekzekutivë kanë një pagë bruto prej 464 euro në muaj, ndërsa asistentët administrativ kanë një pagë prej 348 euro. Pra, janë rreth 29 mijë e 696 euro shpenzimi mujor për asistentët ekzekutivë për 64 zëvendësministrat e emëruar nga Haradinaj. Ndërsa, numri i asistentëve të emëruar në zyrën e kryeministrit dhe tek ministrat është më i madh.

Luksi i Garantuar për Zëvendësministrat

Kosto e qeverisë së madhe nuk kufizohet vetëm në pagat që këta zyrtarë marrin. Ata kanë të drejtë të përfitojnë edhe telefon të fjalës së fundit, por edhe reprezentacion.

Qeveria e Kosovës ende thirret në një Udhëzim Administrativ të miratuar para shpalljes së pavarësisë, e i cili thirret në një rregullore të UNMIK-ut. Ky udhëzim i përcakton shpenzimet e telefonisë për të emëruarit që i mbulon shteti, si dhe personat që kanë të drejtë të furnizohen me aparat telefonik të dorës (mobil).

“Të drejtë për pajisje me aparat telefonik të dorës (mobil) dhe SIM kartelë kanë: kryeministri, zëvendësministrat, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë, sekretari i përhershëm i Zyrës së Kryeministrit dhe shefi i kabinetit të kryeministrit”, thuhet në nenin 8 të këtij Udhëzimi Administrativ.

Mediat kanë raportuar në vazhdimësi për blerjen e telefonave nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Pjesa më e madhe e telefonave janë të fjalës së fundit, pra shpenzohen shumë para për një telefon.

Komentoni