Gjeopolitikë

Rusia: Zonat e sigurta në Siri do të mbyllen për avionët e ShBA-së

Një diplomat rus ka theksuar se zonat e sigurta që do të krijohen në Siri, në bazë të marrëveshjes së arritur nga Rusia, Turqia dhe Irani, do të jenë të mbyllura për avionët luftarakë të koalicionit ndërkombëtar që udhëheqin Shtetet e Bashkuara.

Përfaqësuesi rus në bisedimet e paqes në Kazakistan, që sponsorizohen nga këto tri shtete, Aleksandr Laverntyev, ka folur në kryeqytetin kazak, në Astana, një ditë pas nënshkrimit të memorandumit.

“Në zonat për ndalimin e përshkallëzimit, operacionet ajrore- veçanërisht ato të forcave të koalicionit ndërkombëtar – absolutisht janë nuk janë parashikuar me ose pa njoftim paraprak”, tha ai. “Kjo pyetje është e mbyllur”, shtoi ai.

Turqia dhe Irani ranë dakord me propozimin e Rusisë për “zona të sigurta” në Siri.

Në propozim përfshihen ndalimi i të gjitha fluturimeve dhe ishte e paqartë pse Lavernyev ka sinjalizuar për këtë ndalesë vetëm për avionët e koalicionit që udhëheq ShBA-ja. Por fushatat e ndara të sulmeve ajrore të ShBA-së dhe Rusisë kanë rritur tensionet në dy vjetët e fundit.

Lavernyev më 4 maj, u kishte thënë gazetarëve se marrëveshja do të hyjë në fuqi më 6 maj dhe se avionët e qeverisë siriane pritet që të evitojnë zonat e mbrojtura por një gjë të tillë nuk do ta bëjnë nëse grupet rebele kryejnë sulme.

Anëtarët e opozitës së armatosur siriane kanë thënë se në të kaluarën, qeveria siriane e mbështetur nga forcat ajrore ruse, ka justifikuar sulmet ajrore, duke thënë se ka goditur caqet e terroristëve.

Shtetet e Bashkuara në mënyrë të kujdesshme kanë reaguar për arritjen e marrëveshjes, duke thënë se “mbështesim çdo përpjekje që mund të ulë dhunën në Siri” por kanë shprehur shqetësim për rolin e Iranit, duke shtuar se Rusia duhet të sigurojë se qeveria siriane do t’i përmbahet kësaj marrëveshjeje.

Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka mirëpritur marrëveshjen, duke sugjeruar se është e rëndësishme që rezultat e saj të shihen në terren.

Guterres “është inkurajuar nga marrëveshja”, ka thënë përmes një deklarate për media, zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric.

“Do të jetë qenësore që të shohim se kjo marrëveshje realisht do të përmirësojë jetën e sirianëve”, ka shtuar ai.

Përveç zonave të sigurta, që do të krijohen më 4 qershor, memorandumi i nënshkruar në Astana, gjithashtu përmban marrëveshje të armëpushimit, ndalimin e të gjitha fluturimeve, dërgimin e shpejt të ndihmave humanitare dhe rikthimin e refugjatëve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, gjithashtu ka mirëpritur “përkushtimin për ndalimin e përdorimit të të gjitha armëve, veçanërisht të atyre ajrore”, thuhet në deklaratën e Dujarric.

Marrëveshja për zonat e sigurta është kundërshtuar nga grupi i opozitës së armatosur siriane, të cilët, veç tjerash, kanë kundërshtuar përfshirjen e Iranit – një shqetësim ky, që është ngritur edhe nga SHBA-ja.

SHBA-ja ka thënë se mbështetë të gjitha përpjekjet që “sigurojnë qasje për ndihma humanitare, fokusimin e energjive për të mposhtur IS-in dhe grupe të tjera terroriste dhe krijimin e kushteve për arritjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

Sidoqoftë, ajo ka thënë se “ne vazhdojmë të kemi shqetësime për marrëveshjen e Asatanës, përfshirë edhe prezencën e Iranit si garantues. Aktivitetet e Iranit në Siri vetëm kanë kontribuar në dhunë dhe jo në ndalimin e tij. Po ashtu Irani ka mbështetur në mënyrë të palëkundur regjimin e Assadit që ka kryer mizori ndaj civilëve sirianë”, ka thënë ajo.

“Në dritën e dështimeve të marrëveshjeve të kaluara ne kemi arsye që të jemi të kujdesshëm. Ne presim që regjimi të ndalë të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe forcave opozitare, gjë të cilën, asnjëherë nuk e kanë bërë. Ne presim që Rusia të sigurojë se qeveria e Assadit do t’i përmbahet marrëveshjes”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit.

Memorandumi i nënshkruar më 4 maj bën thirrje për krijimin e katër zona të sigurta në veri dhe jug të Sirisë, ku forcat e Assadit po luftojnë kundër rebelëve, në luftën që ka vrarë mbi 400 mijë persona që prej vitit 2011.

Zonat e sigurta fillimisht ishin propozuar nga Rusia, që mbështetë në mënyrë ushtarake dhe diplomatike qeverinë siriane. Irani gjithashtu mbështetë Assadin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka diskutuar për krijimin e zonave të sigurta edhe me presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë bisedës së tyre telefonike më 2 maj, që ishte e fokusuar mbi luftën në Siri.

Shtëpia e Bardhë e pati përshkruar këtë bisedë si “shumë të mirë”, ku ka thënë se është folur “për zona të sigurta dhe arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme për çështje humanitare dhe shumë çështje të tjera”.

Por presidenti Trump nuk ka folur publikisht për propozimin e Rusisë apo për memorandumin e nënshkruar nga Rusia, Turqia dhe Irani.

Komentoni