Bota

Rusia e ka ftuar diplomatin francez lidhur me arrestimin e ligjvënësit rus

Rusia e ka ftuar për bisedë një diplomat të lartë francez në Moskë, lidhur me arrestimin e pasanikut dhe ligjvënësit rus, Suleiman Karimov, në Francë, lidhur me një rast të shmangies së tatimit.

Ministria e jashtme e Rusisë ka konfirmuar sot se e ka ftuar të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Francës në Moskë, lidhur me arrestimin e Kerimovit në qytetin Nicë në Francë.

Kerimov, pasuria e të cilit nga Forbes vlerësohet në 6.3 miliardë dollarë, është arrestuar pardje në aeroportin e Nicës.

Kerimov është përfaqësues i rajonit jugor të Dagestanit në Dhomën e Epërme të Parlamentit të Rusisë, i njohur me emrin Këshilli i Federatës.

Ministria e jashtme ruse ka thënë më herët se i kishte dërguar njoftim Francës se ai ka imunitet diplomatik.

Autoritetet e Francës nuk i kanë bërë publike detajet lidhur me keqbërjen potenciale të Kerimovit.

Por, në raportet e mediave theksohet se ai është i dyshuar për shmangie të tatimit në shumë prej dhjetëra miliona eurosh.

Arrestimi i Kerimovit ka shkaktuar tmerr në Moskë, ndërsa Kremlini ka shprehur mbështetje për ligjvënësin miliarder.

“Statusi i senatorit dhe fakti se ai është shtetas rus, është garanci se ne natyrisht do të bëjmë çdo përpjekje të mundur për t’i mbrojtur interesat e tij ligjore”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Komentoni