Kosova

Rrusta: Do të vazhdojmë me aksione deri në çmontimin e rastit

Një aksion simbolik është zhvilluar sot para stacionit të Policisë së Kosovës, me ç’rast është shpalosu një pano që e paraqet aktivitetin kryesor të Policisë, montimin e rasteve gjyqësore ndaj aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Koordinatorja për Qendra, Teutë Rrusta, ka thënë se Policia ofron shërbime të ndryshme, përveç asaj që do të duhej ta bënte – mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës. Në vend të kësaj, ky institucion ka dhuruar veç skandale dhe ka tentuar të minimizojë protestat e opozitës.

“Por, për çudi. policia e Kosovës është treguar shumë e aftë në disa aspekte tjera. Është treguar e aftë në montimin e rasteve gjyqësore dhe në montimin e çantave me materiale të rrezikshmërisë së lartë. Madje, kjo polici për ditë të tëra u zhvendos në ekranet televizive përmes konferencash, komunikatash e prononcimesh, si asnjëherë më parë”, ka deklaruar ndër të tjera aktivistja Rrusta, duke theksuar se Kosova sot cilësohet nga organizatat ndërkombëtare si vend autoritarë.

Rrusta me tej ka thënë se kemi një polici joserioze, sepse kemi një Qeveri të tillë, e cila e ka kthyer aparatin e shtetit në mbrojtje të pushtetit kriminal, nga qytetarët.

“Ka ndjeshmëri të madhe ndër qytetarë për këtë çështje. Përmes këtij procesi, krejt çfarë ka arritur ky pushtet, me policinë e tij, është rritja e mosbesimit të qytetarëve edhe më shumë në policinë e Kosovës. Secili veprim i mëtutjeshëm i kësaj Qeverie kundër 6 aktivistëve dhe kundër Lëvizjes janë hapa prapa, deri në rrëzim”, ka shtuar më tej ajo.

Në fund, Rrusta ka kërkuar lirimin e aktivistëve Egzon Haliti, Atdhe Arifi, Astrit Deharit, Adea Batusha, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi. Ajo tha se lirimi i tyre është i pashmangshëm, përveçse është i drejtë e mosdoshmëri dhe tha që aksione dhe forma të ndryshme të kundërshtimit do të ketë edhe në ditët në vijim deri në zbardhje të rastit. /KI/

Komentoni