Kosova

Rrethrrotullimi i aksidenteve

Një rrethrrotullim në Magjistralen Prishtinë-Ferizaj në dalje të Ferizajt është shndërruar në vend të aksidenteve.

Rrethrrotullimi i cili ndodhet në magjistralen Prishtinë -Ferizaj është bërë i njohur për shkak të numrit të madh të aksidenteve që ndodhin në të.

Sipas zëdhënësit të Policisë në Ferizaj Agim Gashi vetëm në 5 vjetët e fundit në këtë rrethrrotullim kanë ndodhur 44 aksidente.

“Që nga viti 2013 deri më tani në këtë rrethrrotullim i cili është lëshuar në qarkullim në vitin 2013 kanë ndodhur gjithsej  44 aksidente ku dy prej tyre kanë qenë me fatalitet, në të cilët dy persona kanë humbur jetën, 15 persona kanë qenë të lënduar  dhe 27 raste të aksidenteve janë  vetëm me dëme materiale”, tha Gashi.

Edhe përkundër faktit se ky rrethrrotullim është i pajisur me shenja të komunikacionit, sipas Gashit problemi qëndron te pakujdesia e shoferëve.

“Në shumicën e rasteve sipas vlerësimit të ekspertizës në vendin e ngjarjes del të jetë kujdesi i vozitësve, shpejtësia e madhe dhe mosrespektimi i shenjave”, tha Gashi.

Aksidenti i fundit në këtë rrethrrotullim ka ndodhur para pak ditësh, ndërsa në të vdiq një shtetas norvegjez 26 vjeçar.

“Ngasësi ka qenë i vetëm në veturë dhe në këtë rast sipas vlerësimeve të vendit të ngjarjes  është se shpejtësia ka qenë shkaktare”, tha Gashi.

Sipas policisë, 277 persona kanë vdekur në Kosovë nga aksidentet për dy vjet e pesë muaj./kallxo.com/

Komentoni