Lajme

Rreth 50 fëmijë preken me leukemi gjatë një viti

Ekspertë të shëndetësisë thonë se numri i fëmijëve të prekur me kancer është rritur brenda vitesh, duke diagnostikuar 50 raste vetëm në vitin 2015 në krahasim me 7 sa kanë qenë në vitin 2008.

Leukemia akute, sipas profesionistëve shëndetësorë, është sëmundja e kancerit më e shpeshtë tek fëmijët, një numër i të cilëve megjithatë ka nevojë të madhe për trajtim.

Vite më parë, më saktë më 2014, Qeveria e Kosovës krijoi fondin prej 5.5 milionë eurosh për trajtimin e fëmijëve të sëmurë me kancer. Fondi u shpenzua dhe ai nuk është ripërtëri.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku, i tha Radios Evropa e Lirë, se Fondi ka pasur mandat të caktuar, ndërkohë që fondi vjetor prej 6 milionë eurosh për shërim jashtë vendit të cilin e posedon Ministria është i vetmi me të cilin qytetarët mund të kërkojnë shërim për fëmijët.

“Ndryshe nga ky fond gjatë këtij viti janë kursyer rreth 1 milion euro, vetëm pse janë kryer rreth 100 operacione të zemrës në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK. Ndërkaq sa i përket leukemisë, fëmijët që lajmërohen ne i dërgojmë jashtë vendit dhe mbulohen të gjitha shërbimet”, ka thënë Sadiku.

Në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, fëmijë të prekur nga kjo sëmundje kanë varur shpresat tek ndihma e mjekëve. Një numër i tyre janë lëshuar në shtëpi, pasi janë vlerësuar se kanë shënuar përparime në shërim, por ende një numër i vogël mbetet në dhomat e Qendrës.

Mirjeta Humaj është nëna e vajzës katër vjeçare, e cila është e prekur me leukemi. Ajo thotë se në moshën 2 vjeçare, vajza e saj është diagnostikuar me këtë sëmundje dhe pas shumë sfidash ajo është shëruar pothuaj plotësisht në Repartin e Hematologjisë në Klinikën Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Unë jam nga Gjakova. Vajzën e kam me leukemi. Në spitalin e Prishtinës e trajtoj. Vajza ka qenë shumë keq, tepër keq. Tash është shumë mirë. Edhe dy muaj e kryen terapinë plotësisht. Shumicën e terapisë e ka marrë këtu. Por, ka pasur raste kur edhe ne kemi ble”, ka thënë Humaj.

Në Qendrën Klinike Universitare, thonë se janë rreth 50 raste të reja që lajmërohen çdo vit me sëmundjen e kancerit, ose me leukeminë akute si sëmundje më e shpeshtë.

Hematologia, Violeta Grajçevci, nga Klinika e Pediatrisë, thotë se janë 35 raste me leukemi akute, që tashmë janë shëruar dhe janë në përcjellje.

“Aktualisht me leukemi akute i kemi 13 raste në trajtim. Terapia zgjat rreth dy vjet. Dy fëmijë janë të hospitalizuar dhe janë raste të dyshuar me këtë sëmundje. Mostrat janë dërguar jashtë vendit dhe po presim rezultatin. Nuk ka fëmijë që po presin për trajtim jashtë vendit. Ata që kanë pasur nevojë tashmë kanë shkuar dhe janë në vende të ndryshme të Evropës për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Grajcevci.

Sipas saj, Klinika e Pediatrisë përdorë protokolle të modifikuara që përdoren edhe në gjithë Evropën.

Mirëpo, të prekurit me leukemi që janë mbi 18 vjeç, e kanë më sfidues trajtimin, marrë parasysh faktin se Ministria e Shëndetësisë për këto raste ndanë vetëm 30 mijë euro ndihmë, pavarësisht kostos së lartë të shërimit që kërkohet jashtë vendit

Ndërkohë, organizata “Ndihmë Fëmijëve me Kancer’’, i ndihmon Klinikës së Hematologjisë, përmes kontakteve që kanë me mjekë nga Austria që diagnostikimi të bëhet falas.

Ilir Gorani, udhëheqës i kësaj organizate jep hollësi të tjera.

“Jemi duke u angazhuar në mbledhjen e fondeve që i tejkalon disa ngërçe që i ka klinika. Së fundmi kemi blerë aparatin për analizë të hershme të leukemisë, kurse ka mbetur pa reagjenca, dhe procedurat e prokurimit janë të stërzgjatura ku edhe e kanë pamundësuar të kryhet kjo analizë në Kosovë”.

“Në këtë fazë ne jemi duke i mbuluar shpenzimet në Austri, ku miqtë që na ndihmojnë i kryejnë falas këto analiza. Mjekëve ju ndihmon që sa më shpejtë të nisin me trajtim, pasi sëmundja kur fillon të trajtohet me kohë, është shumë më e lehtë më e lirë dhe më shpresëdhënëse”, ka thënë Gorani.

Sidoqoftë, profesionistë shëndetësorë thonë se kontrollet e rregullta mjekësore dhe zbulimi i hershëm sëmundjes rrit shanset për trajtim më të mirë dhe më të lehtë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*