Kosova

Rrahman Rama: FSK po përgatitet për detyrat shtesë

Në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Trajnimit për Kërkim-Shpëtim në kazermën e FSK-së “Evropianët e rinj” në Pomozotin, Presidenti Thaçi e vlerësoi FSK-në si storie suksesi ndërsa tha se kjo forcë gradualisht po rritet gradualisht në drejtim të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të mërkurën se Forca e Sigurisë së Kosovës po forcohet dita- ditës në pritje të transformimit të saj.

Në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Trajnimit për Kërkim-Shpëtim në kazermën e FSK-së “Evropianët e rinj” në Pomozotin, Thaçi e vlerësoi FSK-në si storie suksesi ndërsa tha se kjo forcë gradualisht po rritet gradualisht në drejtim të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale.

“FSK çdo ditë reflekton zhvillimin dhe ka bërë mirë çdo herë kur ka intervenuar si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës”, tha Thaçi duke iu referuar intervenimeve në situata emergjente në disa raste.

Aktualisht, FSK është në përpjekje për transformimin e saj në Forcë të Armatosur të Kosovës, por Kuvendi nuk ka mundur të marrë një vendim për këtë hap tash e më shumë se dy vjet.

Në këtë ceremoni, Thaçi nuk përmendi ndonjë afat për transformim kur tha se “FSK është ushtria e ardhshme e Kosovës”.

“FSK është tregues më i mirë i karakterit të shtetit dhe shoqërisë tonë duke përfshirë pjesëtarë të të gjitha komuniteteve”, tha Thaçi.

Ndërsa komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, tha se FSK është e gatshme për hapin tjetër.

“FSK është e gatshme që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale . Jemi në fazën kur po përgatitemi të marrim detyra dhe obligime shtesë në mbrojtjen e vendit. Bashkë me partnerët tanë do ta ndërtojmë një forcë që është në të mirën e vendit”, tha gjeneral Rrahman Rama.

Komentoni