Bota

Rohani: Trump “ka dështuar” në prishjen e marrëveshjes bërthamore

Presidenti Iranian, Hassan Rohani, ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump “ka dështuar në prishjen” e marrëveshjes bërthamore të Teheranit me fuqitë botërore, derisa e ka përshëndetur marrëveshjen si “fitore të qëndrueshme” për Iranin.

Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror, ai ka thënë se, “Trump pavarësisht përpjekjeve të tij të vazhdueshme, ka dështuar në prishjen e marrëveshjes”.

Me këtë rast ai i është referuar marrëveshjes së vitit 2015 që Irani ka nënshkruar me Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën.

Trump ka thënë më 12 janar se Shtetet e Bashkuara do të largohen nga marrëveshja në rast se shtetet evropiane që kanë e kanë nënshkruar atë, nuk i rregullojnë “të metat e tmerrshme” të kësaj marrëveshje.

Vendet e tjera që janë pjesë e kësaj marrëveshje, i kanë bërë thirrje ShBA-së, t’i përmbahet paktit.

Me anë të një deklarate, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për “respekt të duhur” për marrëveshjen bërthamore.

Teherani ka thënë se kundërshton çdo modifikim të marrëveshjes së vitit 2015, në të cilun kërkohet frenimi I aktiviteteve bërthamore të Iranit në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Trump ka thënë më 12 janar se do të vazhdojë lehtësimin e sanksioneve, mirëpo ka dhënë afat 120 ditë për t’u bërë ndryshime, ose ShBA-ja do të heqë dorë nga ajo.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përmes një bisede telefonike, i ka thënë gjatë ditës së djeshme Macronit se Evropa duhet të jetë “e mençur” në ndryshimin e marrëveshjes nukleare, pasi sipas tij do të rriteshin mundësitë që të ajo të mbetej në zbatim.

Sipas deklaratës së publikuar nga zyra e Netaynahut, lideri izraelit, i ka thënë po ashtu presidentit francez, Macron, se “deklaratat e Trumpit duhet të merren seriozisht dhe kushdo që dëshiron të ketë marrëveshje bërthamore duhet të jetë aq i mençur dhe ta rregullojë atë”.

Komentoni