Ekonomi

Rinia e Skenderajt kërkon zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të punë

Qendra Rinore Publike e Skenderajt, në bashkëpunim me shoqatën e bizneseve të këtij qyteti dhe përkrahur nga Ministria e Integrimeve Europiane, organizon tryezën me temat “Zhvillimi i bizneseve, sfidat dhe mundësitë”, “Përkraja nga organet kompetente” dhe “Mundësitë e eksportit dhe importit që parasheh Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim”. Në tryezë, veç përfaqësuesve të të rinjve, bizneseve, morën pjesë edhe Justina Shiroka-Pula, profesoreshë universiteti dhe kryetare e Gruas së Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ganimete Musliu, strukturat drejtuese të pushtetit lokal dhe drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës. “Të rinjtë ardhmërinë e tyre fatkeqësisht po e shohin jashtë vendit, për shkak të papunësisë dhe pasigurisë ekonomike, sociale dhe politike që po mbretëron në vend. Është një situatë e ndjeshme mjaft kritike për të gjithë qytetarët e në veçanti për të rinjët” tha në emër të Qendrës Rinore Publike të Skenderajt, Antigona Maliqi. Ajo porositi për angazhim më të madh nga të gjithë akterët për ta kapërcyer këtë gjendje.


Oda Ekonomike bashkë me ambasadat tona të bëjnë më shumë në promovim të prodhimeve të Kosovës

Kryetarja e Gruas së PDK-së, Justina Shiroka-Pula, në këtë tryezë porositë rininë, por edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike për të qenë më të angazhuar dhe kreativ në ndryshim të gjendjes e jo përshkrim të saj. “Duhet ndryshuar politikat fiskale dhe rritur interesin që bizneset tona prodhuese, të cilat janë të mesme të zhvillohen duke ua lehtësuar kushtet për kreditim të tyre, pastaj të kenë akses më të mirë në treg, arsimim adekuat, mosdiskriminim të prodhimeve vendore, krijim të kushteve për të pasur ambient më të mirë për investitorët dhe vazhdimësi të trajnimeve në çdo fushë për biznese” porositë Shiroka-Pula. Ajo gjithashtu kërkoi nga përfaqësuesit e Odës Ekonomike angazhim që bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadat tona t’i bëjnë prezantim më të dinjitetshëm prodhimeve vendore. Deputetja Ganimete Musliu përshëndeti iniciativën e të rinjve dhe bizneseve të Skenderajt për t’u mbledhur dhe diskutuar për temën shumë me rendësi, duke shprehur gatishmërinë që të punoj e loboj për të avancuar punën e bizneseve të kësaj komune dhe të gjithë Kosovës. “Nuk e di që Oda Ekonomike e Kosovës ta ketë ftuar ndonjëherë ndonjë ambasador tonin në vendet e jashtme, e ai të mos iu ketë përgjigjur ftesës së tillë për t’i parë prodhimet që bëjnë bizneset tona, në mënyrë që ato të promovohen në vendet ku punojnë ata” theksoi Musliu. Zëvendëskryetari i komunës, Fadil Nura, në këtë tryezë foli për gatishmërinë e pushtetit lokal që në suazat që ofrojnë ligjet ekzistuese për t’i ndihmuar bizneset në çdo formë. Një prezantim për temën bëri edhe Rrustem Abiti, drejtor financiar në Odën Ekonomike të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e këtij institucioni për të ndihmuar zhvillimin e bizneseve dhe lobuar për ta tek institucionet. Në debat u angazhuan edhe biznesmenët duke treguar vështirësitë e tyre të afarizmit si Mihane Bekteshi, Egzon Smajli etj. /KI/

Komentoni