Lajme

Rilicencimi i profesionistëve shëndetësor, i rëndësishëm

Ministri Rrahmani tha se edukimi profesional duhet të zhvillohet si proces edhe brenda vet institucioneve, ndërkohë që Ministria do t’i akreditojë programet që do t’i ndjekin profesionistët, në mënyrë që secili profesionit i interesuar, të sigurojë pikët e mjaftuara dhe të ri-licencohet.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë takoi sot drejtuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës me të cilët bisedoi për çështje të ndryshme që lidhen me bashkëpunimin dhe adresimin e çështjeve të ndryshme brenda sektorit shëndetësor.

Në mënyrë të veçantë është biseduar për procesin e licencimit dhe ri-licencimit të profesionistëve shëndetësor, përgjegjësi kjo që tashmë ushtrohet bashkërisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.

Duke ju përgjigjur shqetësimeve të ngritura se profesionistët shëndetësor nuk do të mund t’i arrijnë pikët e mjaftuara akredituese (deri në fund të qershorit 2017) për t’u ri-licencuar, Ministri Rrahmani shpjegoi se në këtë aspekt nuk ka vend për shqetësime, sepse MSh-ja nuk është e interesuar t’u krijojë profesionistëve vështirësi, përkundrazi, është e interesuar që t’i motivojë ata që të rrisin shkathtësitë profesionale dhe se me një organizim të mirë brenda institucioneve shëndetësore dhe në bashkëpunim me Odat dhe Sindikatën, ky proces mund të zhvillohet me sukses.

Ai ka thënë se edukimi profesional duhet të zhvillohet si proces edhe brenda vet institucioneve, ndërkohë që Ministria do t’i akreditojë programet që do t’i ndjekin profesionistët, në mënyrë që secili profesionit i interesuar, të sigurojë pikët e mjaftuara dhe të ri-licencohet.

Në këtë aspekt, përveç Odave, Ministri ka kërkuar përkrahjen edhe të sindikatës që të ndikojnë te menaxherët që t’i zhvillojnë dhe akreditojnë ligjëratat, seminaret dhe programet e ndryshme profesionale që zhvillohen brenda institucioneve.

Në takim është biseduar edhe për çështjen e rrezikshmërisë në punë; çështjen e higjienës në institucione shëndetësore; kuadrit profesional; sigurinë e punëtorëve shëndetësor në punë dhe tema të tjera me interes.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*