Kosova

Riformatimi, pritet tkurrja e kabinetit qeveritar

1 kryeministër, 2 zëvendëskryeministra, 21 ministra, rreth 50 zëvendëministra. Ky është kabineti më i madh qeveritar në rajon e më gjerë. Kosova si vend i vogël për një kabinet të tillë, në vit paguan rreth gjysmë milioni euro vetëm për paga.

Megjithatë ky kabinet i madh qeveritar pritet të tkurret shumë shpejt. Një plan të tillë qysh para disa muajsh e pati përmendur vetë kryeministri Isa Mustafa në një intervistë për RTK-në. E megjithëse në këtë intervistë kryeministri parashihte që vjeshta ta gjente qeverinë me një kabinet të riformatuar, megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi. Sidoqoftë, këshilltari i tij për media, Faton Abdullahu thotë se kjo çështje nuk do të prolongohet shumë. Sipas tij, partnerët e koalicionit tashmë janë marr vesh për riformatim e madje edhe zvogëlimin e  kabinetit qeveritar.

“Ekziston vullneti dhe pajtueshmëria që të bëjnë ndryshime të kësaj natyre. Përveç këtij pajtimi ekziston bindja se duhet arritur dy synime që efiçenca të shtohet dhe mundësisht aty ku nuk dëmtohet efiçenca të ketë edhe kursime. Duke pasur parasysh këto dy çështje mendoj se Qeveria ka vullnetin që të mos e prolongojë riformatimin”, ka theksuar Abdullahu për RTK-në.

Edhe pse zyrtarisht nuk jepen detaje se cilat ministri parashihen të shuhen apo fuzionohen në dikastere tjera qeveritare, RTK merr vesh se Ministria e Integrimit evropian dhe ajo e Diasporës pritet të shkrihen si departamente në kuadër të ministrisë së jashtme. Përderisa procesit të riformatimit pritet t’i nënshtrohen edhe ministria e tregtisë, infrastrukturës dhe ajo e zhvillimit ekonomik, e të cilat pritet të shkrihen dhe funksionojnë si një ministri e vetme. Ndërkohë sipas informacioneve që qarkullojnë, akoma nuk është marr një vendim rreth ministrisë për dialog, pasi gjithçka pritet të vendoset pas një vendimi rreth mundësisë së riformatimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

RTK ka tentuar që të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Megjithatë, burime brenda kësaj partie flasin se ky subjekt politik akoma nuk ka marr vendim rreth shkurtimit të ministrive. Madje, në këtë parti vazhdojnë të përfliten emra për ministra të mundshëm për ministrinë e integrimit evropian.

Komentoni