Lajme

Refugjatë nga Lindja e Mesme futen në Shqipëri

Policia e Gjirokastrës bllokoi në orët e para të mëngjesit të sotëm 20 refugjatë që hynë nga kufiri grek në territorin shqiptar. Sipas burimeve policore, mes refugjatëve kishte gra dhe fëmijë, të cilët kanë marrë ndihmën e parë me trajtim ushqimor dhe shëndetësor në pikën e Kakavijës.

Refugjatët u kanë pohuar autoriteteve shqiptare se kanë mbërritur nga ishulli Lesbos, ku dje u shënua një zjarr masiv. Sipas njoftimeve të mjeteve greke të informimit më shumë se 4 mijë refugjatë u zhvendosën 24 orët e fundit nga Kampi Moria në ishullin grek Lesbos pas një zjarri të madh që shkatërroi tendat dhe shtëpitë e improvizuara.

Sipas autoriteteve greke nuk janë raportuar të lënduar dhe disa refugjatë janë lejuar që të kthehen sërish në kamp. Organizatat ndërkombëtare vlerësojnë se rreth 5.600 refugjatë gjenden në Lesbos, ndërkohë që ishulli ka kapacitet për 3.600 refugjatë.

Pak ditë më parë përmbytja e një tjetër kampi të refugjatëve në Janinë bëri që grupe refugjatësh të shpërndaheshin në zona të qytetit duke u drejtuar edhe në territorin shqiptar. Policia greke tha se bllokoi 40 prej tyre që u përpoqën të udhëtonin me një autobus drejt kufirit shqiptar ndërkohë që në Kakavijë u bllokuan grupe më të vogla.

Shqipëria ka kapacitete shumë të vogla për të përballuar grupet e refugjatëve që hyjnë nga Greqia, ndërsa mungojnë strehimoret dhe kushtet në qytete kufitare. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNCHR, hapi pak kohë më parë një zyrë në Gjirokastër me synimin e ndihmës për grupet e refugjatëve që hyjnë nga Greqia dhe e përdorin Shqipërinë si një pikë transit për të kaluar drejt vendeve europiane.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*