Kosova

Reforma në administratë prioritet i Qeverisë

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Xhevahire Izmaku, kryetare, u shqyrtua Raporti i Qeverisë së Kosovës, për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, për vitin 2015.

Me këtë rast, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar gjatë prezantimit të këtij raporti dhe për gjendjen në shërbimin civil, tha se reformimi i shërbimit civil dhe administratës publike gjatë vitit 2015 ka qenë një ndër prioritetet kyçe të Qeverisë së Kosovës dhe i ministrisë të cilën e përfaqëson ai.

Sipas tij, kjo është përfshirë edhe në Strategjinë e Modernizimit të Administratës Publike 2015-2020, si dhe në Planin e Veprimit për zbatimin e kësaj strategjie dhe se procesi i reformës ndërlidhet me synimet e qeverisë për krijimin e një shërbimi civil profesional, të pa anshëm dhe të përgjegjshëm përballë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve , bizneseve dhe vet administratës publike.

Duke sqaruar se raporti përshkruan gjendjen faktike në të gjithë shërbimin civil, ministri Yagcilar tha se menaxhimi i burimeve njerëzore në shërbimin civil përmes sistemit të ri të informativ, i cili ka filluar të zbatohet në të gjitha institucionet, si dhe procesi i klasifikimit të vendeve të punës në shërbimin civil që kanë për qëllim ngritjen e cilësisë në ofrimin e shërbimeve efikase, profesionale, transparente për qytetarë, institucione dhe biznese.

Ministri po ashtu përmendi edhe katalogun e vendeve të punës që ka për qëllim lehtësimin e zbatimit të procesit të klasifikimit në të gjitha institucionet që kanë të punësuar nëpunës civil.

“Reformë tjetër e rëndësishme në shërbimin civil është edhe procesi i klasifikimit të punës në shërbimin civil”, tha ai.

Ministri Yagcilar tha se sistemi i informatave për menaxhimin e burimeve njerëzore në shërbimin civil është një nga reformat më të rëndësishme, e cila sipas tij është finalizuar dhe ka filluar të zbatohet gjatë vitit 2015. “Ky sistem është zhvilluar dhe është instaluar në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale që kanë të punësuar nëpunës civil, i cili mundëson kryerjen dhe manaxhimin e të gjitha proceseve të punës në formë elektronike që kanë të bëjnë me burime njerëzore. “SIMBNJ nga janari i vitit 2015 ka filluar të përdoret dhe është funksional në të gjitha institucionet qeveritare të nivelit qendror dhe lokal”, tha ministri i Administratës Publike, duke sqaruar më tej se janë identifikuar disa zbrazëti dhe vështirësi në zbatim të Ligjit për Administratë Shtetërore dhe Ligjit për Pagat dhe nëpunësit civil dhe se është iniciuar për plotësim, ndryshim të këtyre ligjeve, që janë paraparë edhe në planin legjislativ të qeverisë.

Pas prezantimit të ministrit Yagcilar, anëtari i Komisionit, Kujtim Paqaku, kërkoi sqarime nga ministri lidhur me gjendjen e të punësuarve në shërbimin civil, të komunitetit rom, ndërkaq Shqipe Pantina duke përmendur vërejtjet e dala nga Raporti i Progresit të KE-së, si dhe vërejtjet nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, që kanë të bëjnë me reformat në administratën publike, tha se në këtë raport mungojnë analizat. Ajo po ashtu kërkoi një sërë sqarimesh nga ministri edhe për trajnimet që ofrohen nga IKAP-i, si dhe lidhur me Projektligjin për Pagat. Edhe Lahi Brahimaj kërkoi sqarime po ashtu lidhur me konkurset në këtë ministri, duke përmendur disa parregullsi në këtë institucion.

Ndërkaq, Sadri Ferati, duke vlerësuar raportin tha se duhet që bashkërisht të punohet në përmbushjen e obligimeve në mënyrë që të realizohen objektivat, ndërkaq, shfaqi vërejtje edhe për çështjen e kontratave mbi vepër.

Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të Komisionit, Raporti i Qeverisë së Kosovës, për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, për vitin 2015, mori përkrahjen e anëtarëve të këtij komisioni dhe procedohet në seancë plenare.

Krejtësisht në fund, në çështje të ndryshme, kryetarja e komisionit Xhevahire Izmaku, tha se gjatë muajit tetor duhet të angazhohen anëtarët e komisionit për shqyrtimin e projektligjit për RTK-në, si dhe atë të Komisionit të Pavarur për Media. /KI/

Komentoni