Lajme

Referendumi në Republikën Sërpska është “jolegal”

Referendumi që është mbajtur të dielën në Republikën Sërpska është jolegal dhe nuk ka asnjë bazë ligjore, sepse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka pezulluar vendimin për mbajtjen e tij, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.

“I inkurajojmë institucionet shtetërore në Bosnje që ta zgjidhin këtë çështje me Republikën Sërpska, brenda kornizës ekzistuese kushtetuese, nëpërmjet dialogut konstruktiv”, tha Kocijançiq.

Në referendumin e së dielës, serbët e Bosnjës kanë votuar me shumicë dërrmuese për të shënuar 9 janarin si festë kombëtare.

Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar këtë datë si diskriminuese për myslimanët dhe kroatët e rajonit, pasi më 9 janar të vitit 1992, serbët kanë shpallur krijimin e shtetit të tyre brenda Bosnjës, duke nxitur konflikt etnik.

Bosnja vazhdon të jetë e ndarë në dy entitete: Republika Sërpska dhe Federata Myslimane-Kroate.

“Është e rëndësishme që palët të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim”, tha Kocijançiq.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*