Kosova

Reagon KPM: Nuk kemi bërë ndarjen e 6 top kanaleve televizive në Kosovë

Këshilli i Pavarur i Mediave ka reaguar lidhur me lajmin “Këto janë top televizionet sipas KPM” të publikuar sot në media.

KPM në reagimin e tij ka thënë se nuk e ka bërë vlerësimin dhe kategorizimin e të licencuarve në top kanale.

“KPM, në pajtim me Nenin 9 dhe Nenin 10 të Rregullores KPM-2016/01 ka përpiluar listën e kanaleve me statusin e bartjes së obligueshme, të cilat duhet të jenë pjesë e katalogut të programeve të ofruesve të shpërndarjes që operojnë në Kosovë. Kjo listë është pjesë e Rregullores e cila ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, më 28 korrik 2016. Prezantimi i ofruesve të shërbimeve programore i dhënë në listën për bartje të obligueshme, përveç kanaleve të Transmetuesit Publik, nuk prejudikon renditjen e tyre në operatorin e shpërndarjes”, thuhet në reagimin e KPM-së.

Më poshtë reagimi i plotë:

Pas miratimit të Rregullores KPM-2016/01 për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuale, një prej ofruesve të shërbimeve mediale i licencuar nga KPM, përcjellur nga një portal lajmesh, nën titullin e lajmit “Këto janë top televizionet sipas KPM” kanë raportuar gabimisht që KPM ka bërë ndarjen e 6 top kanaleve televizive në Kosovë.

Njoftojmë të gjithë të licencuarit dhe publikun e gjerë që KPM nuk ka bërë vlerësimin dhe kategorizimin e të licencuarve në top kanale.

KPM, në pajtim me Nenin 9 dhe Nenin 10 të Rregullores KPM-2016/01 ka përpiluar listën e kanaleve me statusin e bartjes së obligueshme, të cilat duhet të jenë pjesë e katalogut të programeve të ofruesve të shpërndarjes që operojnë në Kosovë.

Kjo listë është pjesë e Rregullores e cila ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, më 28 korrik 2016. Prezantimi i ofruesve të shërbimeve programore i dhënë në listën për bartje të obligueshme, përveç kanaleve të Transmetuesit Publik, nuk prejudikon renditjen e tyre në operatorin e shpërndarjes.

KPM kërkon nga mediumet të cilat kanë dhënë apo kanë huazuar lajmin me titull “Këto janë top televizionet sipas KPM”, ta korrigjojnë me informimin për kanalet me bartje të obligueshme dhe t’i referohen Rregullores së KPM-së për të përmbushur misionin e tyre duke siguruar korrektësi dhe saktësi në raportimet e tyre.

Komentoni