Lajme

Reagon AKP: Nuk ka pasur asnjë vizitë hetimore nga policia

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka demantuar lajmin e publikuar dje nga portali Veriu.info “Policia ‘viziton’ AKP-në, mori dokumente për keqpërdorimin e mbi 1 milion eurove nga “Trepça”.

Sipas AKP-së, nuk ka pasur asnjë vizitë hetimore nga ana e policisë për këtë çështje.

Lexoni reagimin e plotë të AKP-së:

Prishtinë – Agjencia Kosovare e Privatizimit dëshiron të sqaroj opinionin publik se është i pavërtetë lajmi i publikuar dje nga portali Veriu.info, me titull: Policia ‘viziton’ AKP-në, mori dokumente për keqpërdorimin e mbi 1 milion eurove nga “Trepça”.

Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, ju informojmë se duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë që ka ndërmarrja “Trepça” për ekonominë e Kosovës dhe për punëtorët e sajë Agjencia Kosovare e Privatizimit siguron të gjithë punëtorët e ndërmarrjes Trepça dhe opinionin e gjerë se nuk ka pasur kurrfarë vizite hetimore nga ana e Policisë për çështjen e pretenduar nga portali “Veriu.info”.

Dezinformatat e tilla mund të dëmtojnë rëndë veprimet që AKP dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë duke ndërmarrë në gjetjen e modelit më të përshtatshëm rreth ri-organizmit të ndërmarrjes “ Trepça”.

Është për keqardhje se si mediumi në fjalë e ndërlidh pa asnjë bazë vizitën e rëndësishme të delegacionit të Ambasadës Amerikane në AKP dhe pritjen që iu bë këtij delegacioni me pretendimet e ngritura në shkrimin e publikuar. Sqarojmë për opinionin se vizita e delegacionit të Ambasadës Amerikane ishte e interesit të gjerë për procesin e privatizimit në përgjithësi dhe jo vetëm për ndërmarrjen “Trepça”, ndërsa pritja është bërë nga drejtuesit e Agjencisë, nga kryesuesi i Bordit dhe nga Drejtori Menaxhues.

AKP është në koordinim të plotë me institucionet qendrore lidhur me veprimet e mëtutjeshme për Ri-organizimin e ndërmarrjes “Trepça”, ndërkaq prêt nga mediumet më shumë korrektësi në lidhje me plasimin e informacioneve, në mënyrë që të informohet drejt opinioni publik.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*