Lajme

Rasti “Medicus”, urdhër-arrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin

Dy të dënuarit kryesor të rastit “Medicus”, urologu Lutfi Dervishi dhe djali i tij, Arban Dervishi, të dënuar me nga 8 vjet burgim, për veprat penale “trafikim me njerëz” dhe “krim të organizuar”, tashmë gjenden në listën e personave të kërkuar.

Burime të “Betim për Drejtësi” kanë bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar. Këto veprime të organeve gjyqësore, vijnë pas arratisjes së të dënuarve nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës. “Këta persona janë në kërkim ndërkombëtar”, ka pohuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Derisa policia ka konfirmuar lëshimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar ndaj Lutfi e Arban Dervishit, Gjykata Themelore në Prishtinë vetëm ka konstatuar se ka ndërmarr të gjitha masat për zbatimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ju njoftojmë se Gjykata është duke vepruar në zbatim të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale”, është shprehur zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

I kontaktuar mbrojtësi i Arban Dervishit njërit nga dy të arratisurit e rastit “Medicus”, avokati Petrit Dushi, nuk ka dashur të prononcohet për këtë rast.

“Nuk kam koment për atë rast”, ka qenë përgjigjja e vetme që ka dhënë avokati Dushi.

Përveç Lutfi e Arban Dervishit, edhe anesteziologu, Sokol Hajdini, është dënuar me 5 vjet burgim nga Gjykata e Apelit. I njëjti është në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme, pasi ai kishte të drejtë ankese në këtë vendim.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*