Ekonomi

Rastet sociale nuk marrin përgjigje nga Ministria

Zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” thonë se shumica nga kategoria e rasteve sociale, edhe më tutje kanë mbetur pa e shfrytëzuar të drejtën e tyre për faljen e borxheve të grumbulluara deri në dhjetor të vitit 2008. Në një prononcim për Radio Kosovën, ata thonë se kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por deri më tani, nuk kanë marrë përgjigje.

Nazmija nga Prishtina, nënë e dy fëmijëve, është ndër familjaret që jeton me asistencë sociale në Prishtinë. Ajo thotë se me shumë vështirësi, ka arritur që të shlyejë borxhin e grumbulluar deri në vitin 2008 ndaj Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina”. Të jetosh me ndihmë sociale, në një vend ku shporta e konsumatorit çdo ditë e më shumë shtrenjtohet, është shumë e vështirë, thotë familjarja, Nazmija.

5 mijë e 558 persona janë që i përkasin kategorisë sociale, borxhlinj ndaj Ujësjellësit Rajonal “Prishtina’’, prej tyre 1 mijë e 433 janë invalidë të luftës. Shumë pak prej tyre kanë shfrytëzuar të drejtën për faljen e borxheve të grumbulluara deri në dhjetor të vitit 2008, ashtu siç e parasheh Ligji për Faljen e Borxheve. Kështu thotë për Radio-Kosovën, zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal ‘’Prishtina’’, Arbërie Zogiani. Ajo thotë se kanë kërkuar ndihmë për t’u ndihmuar këtyre rasteve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por që deri më tani nuk kanë marrë përgjigje.

Ndërsa, Selatin Kllokoqi, nga Departamenti për rastet sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në një përgjigje për Radio Kosovën thotë se kërkesa dhe marrëveshja  për faljen e borxheve ndaj institucioneve shtetërore apo ndërmarrjeve publike  bëhet nga vetë borxhlinjtë, qofshin ata persona fizikë apo juridikë.

Komentoni