Sport

Raporti i ndeshjes Maqedoni – Kosovë, momentet tensionuese të përballjes

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbjen e dytë në ndeshjet parakualifikuese për Kampionatin Botëror “Kina 2019”, duke u mposhtur nga Maqedonia me rezultat 87:74.

Pas kësaj humbjeje, Përfaqësuesja jonë rrezikon të mos kualifikohet tutje.

Në këtë ndeshje me Kosovën, luajti edhe fundori amerikan i natyralizuar nga Kosova, Smath Bamforth.

Në palestrën “Boris Trajkovski” në Shkup, ndeshja u zhvillua pa praninë e tifozëve për arsye të sigurisë.

Por përkundër kësaj, në palestër ndodheshin zyrtarë të Federatës së Maqedonisë dhe Kosovës, si dhe familjarë e zyrtarë të klubeve maqedonase e kosovare.

Çereku i parë nisi në mënyrën më të mirë për Kosovën, me tri treshe të shënuara nga Dardan Berisha, Alban Veseli dhe Granit Rugova, për të krijuar epërsi prej 9:0.

Pikët e para për maqedonasit u shënuan pas tre minutash lojë për rezultatin 9:2.

Kosova falë lojës së mirë, arriti që periudhën e parë ta mbyll në epërsi prej tri pikësh 22:19.

Edhe në periudhën e dytë u zhvillua ndeshje e fortë, duke bërë që epërsia të kalonte sa në njërën anë e sa në tjetrën.

Disa sekonda pa përfunduar pjesa e parë në palestrën “Boris Trajkovsi”, pati tensione pasi të pranishmit në sallë u sulën në drejtim të basketbollistit kosovar, Gëzim Morina dhe filluan me ofendime, duke shkaktuar probleme para se skuadrat të shkonin në pushim.

Lojtari më i dalluar në 20 minutat e parë ishte Fisnik Rugova, i cili e mbylli këtë pjesëlojë me 15 pikë të shënuar për rezultatin 41:40 në favor të Kosovës.

Çerekun e tretë më mirë e nisën maqedonasit që me një seri prej 9:2, bënë që të kalojnë në epërsi pas dy trepikëshave të shënuar nga Aleksandar Kostoski.

Vendasit me lojë të mirë vazhduan edhe në minutat pasues, duke shfrytëzuar gabimet e mysafirëve, për të ngritur edhe më shumë epërsinë në plus 10 pikë 55:45.

Edhe në 10 minutëshin e fundit, maqedonasit vazhduan me lojë të mirë falë dyshes Theodore dhe Kostoski, të cilët shënonin thuajse nga çdo pozitë për të rritur edhe më shumë epërsinë.

Nga ana tjetër Përfaqësueses sonë nuk i shkonte asgjë për dore duke shpërdoruar raste të shumta shënimi.

Maqedonasit në fund arritën fitore me epërsi prej 13 pikësh 87:74.

Më i dalluari te Maqedonia ishte fundori Jordan Theodore me 24 pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime, përderisa te Kosova lojë të mirë pati Fisnik Rugova, me 17 pikë e dy kërcime, i ndihmuar edhe nga Bamforth që shtoi 15 pikë, 5 kërcime e 6 asistime.

Tjetër trajneri i Kosovës, Brad Greenberg tha se gabimet u kushtuan me humbje ndërsa Rugova, premtoi fitore ndaj Estonisë.

Nga ana tjetër, trajneri Jordancho Davitkov, dhe basketbollisti Vojdan Stojanovski, u shprehën të lumtur më fitoren.

Për t’u kualifikuar tutje tani Kosovës, i duhet një fitore mbi 27 pikë, epërsi ndaj Estonisë në ndeshjen e fundit që zhvillohet në Pallatin e Rinës dhe Sporteve në Prishtinë.

Mundësi tjetër e mirë për kualifikimin e Kosovës, është që Estonia ta mposhtë Maqedoninë në ndeshjen e cila zhvillohet të mërkurën, përderisa Kosova në anën tjetër, duhet ta mposhtë Estoninë të shtunën me çfarëdo lloj rezultati për të kaluar tutje.

Komentoni