Kosova

Qytetarët s’duan pamje të gazit në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës sikurse edhe viteve tjera, edhe këtë vit ka hapur dyert me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Me këtë rast, grupe të nxënësve e qytetarë ia kishin mësyrë Kuvendit për ta vizituar organin me të lartë ligjvënës në vend.

Përshtypjet e nxënësve ishin të ndryshme posa hynin në sallën plenare, aty ku deputetët diskutojnë për projektligje, debate parlamentare, përplasje mes vete e me kabinetin qeveritar.

Vedat Aliu, nxënës në shkollën e mesme të ulët “Jeronim De Rada” nga Ferizaj, bashkë me shokët e shoqet e tij, kishin ardhur për ta vizituar atë që quhet tempull i demokracisë, Kuvendin, pikërisht në ditën ndërkombëtare të Demokracisë.

Për Aliun, ishte hera e parë që po ulej në vendet e deputetëve të Kuvendit, ku i la përshtypje se nga aty ngritet zëri i qytetarëve.

Por, pati edhe përshtypje të këqija, pasi nga ato vende u gjuajt me gaz lotsjellës, skena për të cilat thotë se nuk i lanë përshtypje të mira.

“Sot kemi ardhur me shkollën që ta vizitojmë Kuvendin e Kosovës, me rastin e ditës ndërkombëtare të Demokracisë. Këtu jemi pritur nga disa zyrtarë të cilët na kanë informuar për punën e Kuvendit, punën që bëjnë deputetët. Sa i përket seancave plenare që mbahen në këtë sallë, i kam shikuar dhe i shikoj në televizionin publik dhe ato me bëjnë përshtypje të mira sepse ngritët zëri i qytetarëve të Kosovës…Ne i kemi parë, të drejtën salla më është dukur në media më e madhe, por këtu ishte e vogël. Ato skena që janë bërë nga partitë opozitare kanë qenë jo të mira të cilat nuk na kanë lënë përshtypje të mira”, tha nxënësi Vedat Aliu.

Nga institucionet e reja në Ditën e Demokracisë, nxënësi Vedat Aliu pret perspektivë me të mirë për rininë, vende të reja pune, e zhvillim ekonomik.

Edhe, Xhevat Xhemajli, mësimdhënës në shkollën e mes të ulët “Jeronim De Rada” thotë se nxënësit u ndien të kënaqur me vizitën në Kuvendin e Kosovës, porse shpreson që të rinia mos të sheh skena çfarë janë parë në mandatin e kaluar.

“Ato skena që kane qenë për mendimin tim nuk kanë qenë të lakmueshme, nuk kanë qenë të mira, sidomos për rininë tonë. Por sot nxënësit janë shumë të kënaqur dhe shpresoj që në të ardhmen mos të shohin më skena të tilla jo të rregullta”, tha Xhemajli.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Zenun Pajaziti, bëri hapjen zyrtare të aktiviteteve për nder të kësaj dite, duke thënë se Kuvendin do ta mbajnë të hapur gjithmonë për të gjithë.

“Duke iu falënderuar deputetëve, një grupi deputetëve nga të gjitha partitë në Kosovë, sidomos deputetëve të kaluar, të cilët disa janë edhe në këtë mandat, duke iu falënderuar stafit të Kuvendit dhe disa organizatave ndërkombëtare kemi arritur ta hapim Kuvendin për qytetarë dhe ta krijojmë një institucion, një forum brenda Kuvendit në mënyrë që krejt punën e Kuvendit ta bëjmë sa më transparente”, tha Pajaziti.

Ndërsa, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se aktivitet që ka organizuar sot Kuvendit, përcjellin mesazhe për rëndësinë e këtij institucioni, për të promovuar paqen dhe stabilitetin, meqë edhe moto e këtij viti është “Demokracia dhe Parandalimi i Konfliktit”.

“Motoja globale e këtij viti është Demokracia dhe parandalimi i konfliktit organizuar nga forumi për transparencë parlamentare në bashkëpunim me partnerët tanë. Përveç kësaj dite, Kuvendi i Kosovës ka organizuar aktivitete të shumta të cilat do të përcjellin mesazhe të plota se sa është i rëndësishëm institucioni ynë për të forcuar institucionet tona, për të promovuar paqen dhe stabilitetin, një qasje me të integruar dhe gjithëpërfshirëse me respekt për të drejtat e njeriut dhe sundimit të ligjit dhe për t’u përfshirë në agjendat globale”, tha Krasniqi.

Me rastin kësaj dite, Kuvendi ka hapur edhe panairin e OJQ-ve, të cilat do të shpalosin aktivitetet e tyre për rritjen e demokracisë.

Nora Jusufi nga instituti GAP thotë se edhe pse ata merren me studime hulumtuese dhe analiza të politikave, këto ndikojnë direkt dhe indirekt në demokraci.

“Mendoj që të gjitha këto punë që bëjmë ne edhe pse janë studime hulumtuese apo analiza të politikave ndikojnë direkt apo indirekt në demokraci. Sepse një vend me zhvillim të mirë ekonomik, me politika të drejta si të shkruara ashtu edhe të zbatuara, ndihmon edhe në demokracinë të vendit. Sa i përket eventit të sotëm besoj se është i qëlluar. Ndoshta po të promovohej me tepër do të ishte më mirë pasi që të ketë edhe me tepër qytetarë, mirëpo kjo është një mundësi e mirë për ata që nuk dinë shumë për punën tonë, besojmë që ka vlerë të njoftohen me mirë dhe të jenë në hap se çka ose si qëndrojnë punët në fusha të ndryshme”, u shpreh ajo.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi në bashkëpunim me Forumin për Transparencë, ka organizuar edhe punëtori, programi i Kuvendit bashkë me tokën, pikturë, kuize  dhe në fund do të bëhet ndarja e çmimeve për pikturën me të mirë. /rtk/

Komentoni