KosovaToplajm

Qytetarët do të paguajnë 5 milionë euro humbjen ligjore të MPB-së

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, ka pranuar humbjen në Gjykatën e Arbitrazhit ndaj kompanisë austriake “OeSD”. Këtë e kanë deklaruar zyrtarët e këtij institucioni, duke theksuar se vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit, e detyron Kosovën, përkatësisht qytetarët e saj, t’i paguaj austriakëve, 5 milionë euro për tenderin e pasaportave.

Këtë humbje, zyrtarët e MPB-së e kanë bërë të ditur në një konferencë me gazetarë, ku kanë theksuar se kjo është një çështje serioze të cilin janë duke e analizuar.

Sekretari I Përgjithshëm I MPB-së, Driton Gashi, ka thënë se gjatë ditës së djeshme nuk kanë qenë të gatshëm për të reaguar, për këtë vendim, pasi sipas tij kjo është një betejë e komplikuar ligjore, që ndikon në kredibilitetin e MPB-së.

“Jemi duke pritur që në dorë ta kenë vendimin origjinal. Sigurisht se vendimi i arbitrazhit është çështje serioze dhe është betejë e komplikuar ligjore. Andaj çdo veprim ose informacion shtetësi në momentin e përshtatshëm do ta din”, ka thënë Gashi në konferencë, sepse, sipas tij, janë dy procese paralelisht për këtë çështje.

“E para ka të bëjë me vendimin ndaj grupit të Natali Veliajt dhe aty Ministria e Punëve të Brendshme ka fituar të drejtën të bëjë padi civile për kompensimin e demit që i është shkaktuar MPB-së. Dhe procesi tjetër paralele është çështja e arbitrazhit, të cilën duhet ta ndjekim tash e tutje. Vendimi i arbitrazhit në një formë ndikon në kredibilitetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të qeverisë së Kosovës”, ka thënë Gashi.

Por, si do të arsyetohet MPB, para qytetarëve të Kosovës për këtë vendim, pasi që buxheti I shtetit mbushet nga taksat e qytetarëve, Gashi ka thënë se duhet të presim që procesi të përfundoi deri në fund, dhe se për këtë shpreson në mirëkuptimin e qytetarëve të vendit.

Kurse, avokati I MPB-së, Gazmend Nushi, ka thënë se Kosova nuk mund t’i shmanget këtij detyrimi, pasi që,sipas tij, vendim në kuptimin e procedurës nuk mund të ankimohet në ndonjë instancë më të lartë.

“Nisur nga Konventa e New York-ut, Ministra e Punëve të Brendshme do ta nis procedurën për anulimin e këtij vendimi . Mirëpo, duhet pritur edhe inicimin e procedurës për njohjen e këtij vendimi, pasi fjalën përfundimtare do ta jep gjykata kompetente vendore”,ka thënë Nushi, duke shtuar se fjalën përfundimtare do ta jep gjykata kompetente vendore.

Ai ka shtuar se është keqkuptuar në media afati 14 ditor, pasi që sipas tij, vendim i tillë çfarë është për momentin i nënshtrohet të njohjes së instancave vendore të gjykatave në Kosovë.

Përndryshe, vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit janë vendime të prera, të cilat duhet të respektohen në përpikëri. Në këtë rast, Kosova duhet të paguaj dënimin që kjo gjykatë i ka adresuar vendit. K.I/L.BEKA

Komentoni