Kosova

Qytetarët besojnë se zgjedhjet lokale do të sjellin ndryshime pozitive

Në një konferencë për media, Instituti GAP prezantoi raportin “Pritjet e qytetarëve dhe faktorët që ndikojnë në votën e tyre në zgjedhjet komunale”. Të dhënat e përdorura në këtë raport burojnë nga hulumtimi në teren që është zhvilluar në 38 komuna të Kosovës nga data 14 deri më 25 shtator 2017.

Berat Thaqi, Analist i Politikave në Institutin GAP, duke prezantuar të gjeturat e anketës tha se rezultatet tregojnë se mbi 70% e qytetarëve janë të prirur të besojnë se zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të sjellin ndryshime pozitive për familjet e tyre dhe komunitetin ku jetojnë.  Por, vetëm 7% e të anketuarve janë plotësisht të bindur se do të ndodhin ndryshime pozitive pas zgjedhjeve lokale. Rreth 56% e qytetarëve të anketuar janë shprehur se vota e tyre nuk do të ndryshojë nga ajo e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, kurse 14% kanë deklaruar se do të votojnë ndryshe më 22 tetor. Ndërkaq, rreth 7% e të anketuarve kanë deklaruar se nuk do të votojnë fare në këto zgjedhje. Sa i përket pyetjes se çka marrin për bazë qytetarët kur vendosin se cilin kandidat do ta votojnë për kryetar/e komune, shumica e të anketuarve janë përgjigjur se bazohen në programin dhe premtimet e kandidatit/es, por edhe në përvojën dhe edukimin e tij/saj. Rezultatet e anketës tregojnë se votuesit favorizojnë më shumë kandidatët e rinj në moshë. Programi, përgatitja shkollore dhe përvoja politike janë po ashtu faktorët kryesorë që ndikojnë në votën e qytetarëve edhe për kuvendin komunal.

Blendi Hasaj, Hulumtues në Institutin GAP, theksoi se nga analizimi i mëtejmë i përgjigjeve të anketuarve kundrejt moshës së tyre, vërehet se 71% e atyre që do të votojnë për kandidatin për kryetar të komunës që vije nga partia e njëjtë për të cilën ata kanë votuar me 11 qershor janë të moshës 18-44 vjeç ku dominon kategoria e të rinjve 25-34 vjeç. Në lidhje me qëndrimin e qytetarëve sa i përket votimit të një kandidati i cili nuk i përket etnisë së tyre, rezultatet tregojnë se, në përgjithësi, votuesit nuk preferojnë të votojnë dikë nga etnitë tjera, pa marr parasysh përgatitjen e tij/saj. Qytetarët e anketuar, të cilët kanë më shumë kontakte me pjesëtar të komuniteteve tjera, siç janë Prizreni dhe Mitrovica, janë më të prirë të votojnë për kandidatët e etnive tjera. Gjithashtu, të anketuarit nga komuniteti boshnjakë, serbë dhe shqiptarë janë më refuzues ndaj kandidatëve të etnive tjera, se sa të anketuarit nga komunitetet egjiptianë, romë apo goranë.

Matja e opinionit është bërë nga UBO Consulting, me ç ‘rast janë anketuar 1,065 qytetarë të Kosovës: shqiptarë (818), serb (150) dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera (97). Ky hulumtim nuk ka pasur për qëllim identifikimin e prirjeve të qytetarëve se për cilin subjekt politik do të votojnë.

Raportin e plotë të Institutit GAP mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar Këtu. /KI/

Komentoni