Kosova

Qosja: Haradinajt i lanë prushin në duar ata që duhej të ishin në opozitë

Akademiku Rexhep Qosja deklaron se është i palumtur me zgjedhjen e Ramush Haradinajt në postin e kryeministrit të Kosovës.

Në një intervistë për gazetën “Dita” Ai shpjegon dhe arsyet ndërsa shton se  në Kosovë janë disa parti politike serbe, të cilat, kur e do interesi i tyre, bashkohen rreth një partie, me emrin Lista Serbe.

Pjesë nga Intervista

Pyetje:  A ka ndikuar qëndrimi i Beogradit në hartën e re politike të Kosovës?

Rexhep Qosja: Nuk mund të thuhet se qëndrimet e Beogradit janë plotësisht të pa ndikim në hartën politike të Kosovës. Në Kosovë janë disa parti politike serbe, të cilat, kur e do interesi i tyre, bashkohen rreth një partie, me emrin Lista Serbe. Dhe, kjo parti e serbëve gëzon përkrahjen e disa faktorëve ndërkombëtarë në radhë të parë pse serbëve u është krijuar trajtim shumë i privilegjuar në “Kushtetutën” e Ahtisarit – larg më i privilegjuar se i të gjitha pakicave etnike në Evropë! Dhe, kjo parti e serbëve në Kosovë sot mund të luajë rol në formimin e qeverive dhe mund të luajë rol në rrëzimin e qeverive në Kosovë! Nuk mund të mos thuhet se kjo parti luajti rol në krijimin e qeverisë së Ramush Haradinajt, më 7 shtator të këtij viti.

Unë në asnjë rast nuk jam i pa përkushtim politik e shoqëror ndaj Ramush Haradinajt. Kam shkruar e botuar dy reagime për të derisa ishte ndaluar prej Gjykatës në Francë; kam shkruar edhe më parër për të. Ramush Haradinajt dhe familjes së tij u takoi të durojnë shumë dhembje gjatë luftës dhe shumë padrejtësi e shumë dhembje edhe pas Luftës. Por, unë nuk e quaj veten të palumtur jo pse Ramush Haradinaj u bë kryeministër, por pse u bë kryeministër i kësaj Qeverie pas tre muajsh zvarritjesh të koalicioneve për krijimin e Kuvendit dhe të Qeverisë dhe pse u bë si u bë. Ramush Haradinajt në të vërtetë ia lanë prushin në duar ata që do të duhej të mbeteshin në opozitë më gjatë – LDK-ja dhe PDK-ja.

Them kështu për arsye se mendoj se Ramush Haradinaj, si figurë e autoritetshme jo vetëm në këtë qeveri, por edhe në Kosovë në përgjithësi, pashmangshëm ka para vetes dy sfida të rënda për vendosje: përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Dhe këto dy sfida mund të bëhen arsyeja që Ramush Haradinaj të humbë prestigjin politik ose të humb qeverinë. Për hir të tij do të doja ta humbte të dytën, jo të parën.

Komentoni