Lajme

Qeveria së shpejti edhe me dy zv/kryeministra

Kabineti i Qeverisë së Kosovës, i cili udhëhiqet nga kryeministri Isa Mustafa, po zvogëlohet dita ditës, ashtu edhe siç ishte premtuar.

Ndonëse Ministria e Integrimeve dhe ajo e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor kanë mbetur pa shefa, janë edhe postet e zv/kryeministrit të cilat kanë mbetur të ‘boshatisura’. 

Ishte ish-ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi i cili me të marrë postin e presidentit të Republikës u largua nga të gjitha funksionet qeveritare, duke përfshirë këtu edhe ‘karrigen’ e zv/kryeministrit të parë. Njëjtë veproi edhe Kujtim Shala.

Ai tani përgjegjësin e ka kthyer vetëm në dikasterin të cilin e drejton, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan Indeksonline. Ndërsa aktualisht në kabinetin Mustafa janë vetëm dy zv/kryeministra: Branimir Stojanoviq nga Lista Serbe si dhe Hajredin Kuqi, i cili deri para pak kohësh drejtonte Ministrinë e Drejtësisë. 

Përfaqësues të Qeverisë kanë paralajmëruar se së shpejti pritet të jenë emrat e rinj për këto dy vende. 

Faton Abdullahu, këshilltar për media i Mustafës, ka thënë për “Indeksonline” se nuk ka vendim zyrtar, mirëpo i njëjti do të merret së shpejti. “Patjeter që po, por ende nuk ka zyrtare asgjë ne ketë drejtim”, ka thënë shkurt ai.

Ndryshe, kabineti qeveritar përbëhet nga 21 ministri, përfshirë këtu dy ministra pa portofol dhe rreth 50 zëvendës ministra. 

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*