Lajme

Qeveria nuk ka “njoftime zyrtare” për vendimet e Listës Serbe për ngrirje të punës

Autoritetet në Prishtinë thonë se nuk kanë marrë “asnjë shkresë zyrtare nga partnerët në koalicionin qeverisës, Lista Serbe” për vendimin” për, siç thuhet, “ngrirje të pjesëmarrjes në institucionet e vendit”.

Zëvendësministri i pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se “nuk ka indikacione zyrtare për hapat e Listës Serbe” të njoftuara gjatë ditës në mediat lokale.

“Do të shohim se çfarë po ndodh nesër, nëse do të kem paralajmërim zyrtar për këtë. Tani për tani e kemi atë që po e shohim nëpër media që ata kanë deklaruar se do të ngrijnë marrëdhëniet me institucionet e Kosovës. Nëse kjo është e vërtetë, ne duhet të marrim diçka me shkrim prej tyre, e pastaj do të ulemi të bisedojmë dhe të shohim si do të merremi me këtë çështje”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bajram Gecaj, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës.

Deklarata e Gecajt erdhi pas vendimit të zëvendës kryeministrit Branimir Stojanoviq dhe dy ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, që të “ngrijnë” pjesëmarrjen e tyre në punën e Qeverisë së Kosovës, në komisionet ndërqeveritare dhe në organet e tjera qeveritare, me vlerësimet se “pjesëmarrja në to do të ishte vetëm formale dhe jo edhe thelbësore”, thuhet në një kumtesë të përbashkët të zyrtarëve qeveritarë.

“Nuk mund të pranojmë që partitë shqiptare në pushtet me pjesëmarrjen tonë po ‘luajnë’ rolin e demokracisë. Angazhimi ynë do të drejtohet kryesisht në aktivitetet që do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve serbë në Kosovë”, thuhet në një kumtesë të përbashkët.

Në kumtesë, zëvendëskryeministri dhe ministrat serbë të Qeverisë së Kosovës, thonë se “Qeveria e Kosovës ua ka pamundësuar pjesëmarrjen në procesin e vendimmarrjes për temat që janë jetike për pozitën e popullit serb”.

“Duke na pamundësuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjidhjen e drejtë dhe të arsyeshme të fatit të Kombinatit ‘Trepça’, dhe në shumë vendime të tjera, marrëveshja për koalicion është shkelur dhe Listës Serbe i është bërë me dije se nuk duhet ta shohë veten si pjesë të koalicionit qeverisës”, thuhet në kumtesë.

Më herët gjatë ditës së diel, deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës kanë bërë me dije përmes një kumtese se, po ngrijnë pjesëmarrjen e tyre në punën e Kuvendit. Ata kanë deklaruar se “në emër të interesave të popullit serb dhe demokracisë me neveri e hedhin poshtë dhunën politike dhe juridike të parlamentit kosovar” për çështjen e Trepçës.

Deputetët serbë, në kumtesë thonë se “nuk e njohin asnjë vendim lidhur me çështjen e Trepçës, i cili është miratuar pa marrëveshje me përfaqësuesit politikë të serbëve”.

Ndikimi i Beogradit në vendimet e deputetëve të Listës Serbe

Analistët e çështjeve politike në Prishtinë, ndërkohë kanë thënë se vendimi i koalicionit qeverisës, Lista Serbe për, siç thuhet, “ngrirje të pjesëmarrjes në institucionet e vendit”, nuk janë veprime autonome të tyre, por veprime të shtyra nga Beogradi zyrtarë.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Lista serbe është një lloj faktori politik i qeverisë së Beogradit në spektrin politik kosovarë dhe siç thotë ai, ngrirja e pozicioneve të deputetëve të listës serbe janë bërë me vendim të Beogradit.

“Lista serbe është një formacion tejet i çuditshëm politik, sepse në njërën ana ka shumë kompetenca, ka shumë fuqi politike, në anën tjetër nuk ka autonomi, pasi që dihet se vendimet për të i merr Beogradi, ajo mund të konsiderohet si një ambasador i Beogradit në politikën kosovare”, thekson Muhaxhiri.

Ndikimi i Beogradit në vendimet e deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës sipas Muhaxhirit, krijon probleme të reja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në një aspekt është mirë që ka ndodhur kjo ngrirje e sepse do të jetë një lloj kthjellimi për politikën kosovare pasi që duhet të jenë më të ashpër, më rigoroz në qëndrimet e tyre në Bruksel. Deri më tani pala shqiptare qenë shumë e butë dhe ka bërë shumë kompromise dhe nuk ka marrë gati asgjë, ndryshe nga pala serbe e cila nuk ka bërë kompromise dhe ka përfituar shumë më shumë”, thekson Muhaxhiri.

Ndërkohë, monitorues të punës së Kuvendit të Kosovës, thonë se ngrirja e pozicioneve të deputetëve të Listës serbe është në kundërshtim me rregulloret e Kuvendit.

Albert Krasniqi, nga Institutit Demokratik i Kosovës, tha për Radion e Evropa e Lirë thotë se deputetët serb kanë vepruar në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës.

“Kushtetua e Kosovës nuk e njeh nocionin e ngrirjes se mandatit të deputetit, të njëjtit munden ët japin dorëheqje ose të bojkotojnë punën e Kuvendit deri në gjashtë muaj dhe pas kësaj periudhe të humbin mandatet nëse nuk arrijnë të arsyetojnë mungesën e tyre në kuvend dhe të njëjtit duhet të zëvendësohen me deputet të njëjtë brenda subjektit të Listës Serbe”.

“Mirëpo nëse edhe ata nuk i dëshirojnë këto mandate atëherë ulëset e tyre nuk do të mbesin vakant në kuvend , por do ët shpërndahen tek subjektet tjera të cilat kanë garuar në zgjedhje e të cilat janë deklaruar se do të përfaqësojnë interesat e komunitetit serb në Kosovë”, sqaron Krasniqi.

Por, mungesa e Listës Serbe në institucione, përveç boshllëkut që lë në përfaqësimin e komunitetit serb, ka edhe pasoja tjera për funksionimin dhe vendimmarrjen nga institucionet qendrore.

Ndryshimet Kushtetuese në Kosovë mund të bëhen vetëm nëse mbështeten nga dy të tretat e deputetëve të Kuvendit dhe nga dy të tretat e deputetëve pakicë. Nga dhjetë deputetët serbë, nëntë prej tyre janë nga Lista Serbe, kurse dhjetë deputetë u takojnë komuniteteve tjera.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës serbe, në vitin 2015 në institucionet qendrore dhe lokale, kanë ngrirë aktivitetin e tyre, pas shkarkimit që iu ishte bërë në atë kohë ministrit Aleksandër Jabllanoviq.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*