Lajme

Qeveria ndan edhe 350 mijë dollarë për mbrojtjen e PTK-së në Arbitrazh

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 106-tën me radhë, ku ndër të tjera, u mor vendimi për ndarjen e mjeteve për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes gungore të lëkurës së gjedhit. 

Kryeministri Isa Mustafa në hapje të mbledhjes ka njoftuar kabinetin lidhur me lirimin e z. Kujtim Shala, nga detyra e zëvendëskryeministrit, i cili tash e tutje do të mbajë vetëm postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“E kam biseduar për një kohë këtë çështje me zëvendëskryeministrin e deritanishëm, Kujtim Shalën, dhe kërkesën e tij për t’u liruar nga pozita e zëvendëskryeministrit në mënyrë që t’i përkushtohet tërë kohën Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo ka qenë arsyeja themelore që unë atë e kam liruar dje me kërkesën e tij, me këtë arsyetim, me asnjë arsyetim tjetër dhe për asnjë motiv dhe shkak tjetër. Mendoj se ka qenë qasje e tij e drejtë, sepse është një sektor që është mjaft i gjerë dhe mjaft i madh. Jemi duke biseduar edhe me partnerët e koalicionit, PDK-në në rend të parë, që të punojmë edhe në reformatimin e rekonstruimin e Qeverisë, dhe më vonë të gjitha plotësimet do t’i bëjmë në këto suaza”, tha kryeministri. 

Pas shqyrtimit dhe diskutimit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për vazhdimin e ndërmarrjes së veprimeve procedurale me karakter urgjent, pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive ICSID (Arbitrazh) në çështjen e ngritur nga kompania “ACT Axos Capital” GMBH, për procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës Sh.A.

 Edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes gungore të lëkurës së gjedhit, ka marr aprovimin e Qeverisë së Kosovës. Me mjetet e ndara do të sigurohen dozat e nevojshme për vaksinimin e gjedheve në Republikën e Kosovës. 

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se, ashtu siç është diskutuar edhe javën e kaluar, me iniciativën edhe të ministrit të Bujqësisë, çështja e sëmundjes gungore të lëkurës së gjedhes, e cila është paraqitur deri më datën 19 gusht, ka prekur 156 ferma në 20 komuna të Republikës së Kosovës, që parashihet se janë përfshirë mbi 2 mijë e 609 kafshë deri më tani.

“Është menduar që të ndahen një shumë prej një milion e 93 mijë euro dhe ato do të jenë 393 mijë euro nga shpenzimet e pa parashikuara, 500 mijë euro alokohen nga Agjencia Veterinare e Ushqimit, dhe 200 mijë euro do të sigurohen nga mjetet e ndarjes buxhetore të Ministrisë së Bujqësisë. Natyrisht se kjo e fundit nëse do të mbetet keq po e quajmë, deri në fund të vitit, do të jemi të gatshëm që t’ia kompensojmë këtë shumë. Mendoj se ky është një vendim i drejtë që do të barten këto mjete në Agjencinë Veterinare të Ushqimit dhe në pjesën që ka të bëjë me mbrojtjen e shëndetit publik dhe shëndetit të kafshëve, me qëllim të vaksinimit, të këtyre sëmundjeve infektive. Qeveria e Kosovës, respektivisht Zyra e Kryeministrit, ka menduar se këto mjete janë të mjaftueshme për vaksinimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje dhe zgjerimin e saj më tutje”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, shprehu kënaqësinë për miratimin e këtij vendimi i cili hap mundësinë që të trajtohet në mënyrë efikase dhe të shpejtë sëmundja gungore e lëkurës së gjedhit që është shfaqur kohën e fundit.

“Ndoshta është mirë që të sqarohet edhe për opinionin e gjerë që vendimi i sotëm përfshinë edhe një fond potencial për kompensimin e gjedheve të humbura për fermerët. Pra, përveç se do të bëjmë vaksinimin masiv, me këtë vendim ne parashohim një fond edhe për kompensimin e gjedheve të humbura i cili do të realizohet konform procedurave ligjore të cilat janë në fuqi dhe të cilat i realizon Agjencioni i Ushqimit dhe i Veterinës, menjëherë në momentin e parë pas verifikimeve zyrtare dhe procedurale të humbjeve të fermerëve dhe fermave të cilat janë prekur nga kjo sëmundje”, tha ministri Krasniqi. 

Kabineti qeveritar i ka dhënë aprovimin edhe Nismës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shtetit të Japonisë, për bashkëpunim Kulturor. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është obliguar që të zhvillojë negociatat për finalizim të marrëveshjes në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin me të cilin aprovohet kërkesa e Komitetit për Partneritet Publiko-Privat për konfirmimin e interesit publik nga lëshimi i licencës për Projektin e kompanisë ENVIDITY. 

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se Komiteti për Partneritet Publiko-Privat sipas nenit 18, paragrafi 7 i Ligjit për Miniera dhe Minerale, i ka rekomanduar Qeverisë nxjerrjen e vendimit, me të cilin aprovohet moszbatmi i procedurës konkurruese ndaj një investitori specifik për marrjen e një licence për një mineral nëse projekti për të cilin kërkohet licenca, është i nevojshëm për sigurimin e furnizimit energjetik në Kosovë, ose do të kontribuojë në tërheqjen e investimeve të konsiderueshme në Kosovë. “Komiteti për PPP bazuar në kriteret për përcaktimin e interesit publik për vlerësimin nëse një projekt do të kontribuojë në tërheqjen e investimeve të konsiderueshme, të drejtpërdrejta në Kosovë dhe vlerësimin nga ana e Departamentit Qendror për PPP në Ministrinë e Financave, ka konstatuar se projekti ndihmon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, duke ndikuar në përmirësimin e kushteve dhe standardeve të prodhimit të mallrave, ofrimit të shërbimeve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të kualitetit të jetës së qytetarëve, në mbrojtjen e ambientit. Projekti i kompanisë ENVIDITY inkurajon futjen në përdorim të teknologjive të përparuara, të cilat do të ndikojnë në rritjen e konkurrencës dhe efikasitetit të ekonomisë dhe uljen e deficitit tregtar të vendit.

Projekti ka vlerë kapitale për jo më pak se 30 milionë euro, ashtu siç e kërkon ligji dhe ka potencial të krijojë të paktën 80 vende të punës, pasi që fillon faza e shfrytëzimit të mineraleve energjetike. Projekti është në pajtim me standardin mjedisor të përcaktuar me legjislacionin e Kosovës dhe të BE-së. Projekti nuk është në kundërshtim me detyrimet e Republikës së Kosovës të përcaktuara me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Propozim-vendimi që po e prezantoj para jush konstatohet se ka interes publik në lëshimin e licencës për projektin ENVIDITY, ka kaluar në të gjitha fazat e parashikuara nga rregullorja e punës së Qeverisë. Kompania ENVIDITY është kompani kanadeze. Kjo kompani në maj të vitit 2013 ka parashtruar tri aplikacione për licencë hulumtimi në Komisionin për Miniera dhe Minerale. Sipërfaqja, për të cilën ka aplikuar kjo kompani, është e përshkruar në aplikacion dhe lidhur me këtë eksperti i gjeologjisë ka bërë elaborat.

ENVIDITY ka shprehur interesim për gazifikimin nëntokësor të qymyreve të Kosovës dhe prodhimit të gazit sintetik, dizelit dhe kerozinës.

Komiteti për PPP ka kërkuar vlerësimin e këtij projekt-propozimi nga aspekti ligjor, teknik dhe financiar. Kjo kompani ka bërë një prezantim të projektit në janar të vitit 2015. Sa i përket implementimit sipas këtij propozimi, ENVIDITY do të implementojë projektin në dy faza. Në fazën e parë kompania synon të prodhojë 1200 barel derivate në ditë, kurse në fazën e dytë 20 mijë barel derivate për ditë. Sipas informatave të ofruara nga kompania përfitimi mund të llogaritet si më poshtë:

Investimi në fazën e parë 150 milionë dollarë.

Në fazën e dytë 1.8 deri në 2 miliardë dollarë.

Në fazën e tretë deri në 5 miliardë dollarë.

Po ashtu sipas propozimit të kompanisë gjenerimi i vendeve të punës në fazën e parë do të jetë 100 vende pune, ndërkaq në fazën e dytë 300 vende pune.

Duke u bazuar në këto, Komiteti PPP i rekomandon Qeverisë marrjen e vendimit, me të cilin konstatohet interesi publik nga lëshimi i licencës për projektin ENVIDITY, të dorëzuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik me datë 16.09 2013 dhe të përcjellë në Ministrinë e Financave me datë 13.12.2013. Me rastin e marrjes së vendimit nga Qeveria, atëherë vendimi procedohet për miratim përfundimtar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ministri Hoti. 

Gjithashtu, sipas kërkesës së Komitetit për Partneritet Publik-Privat, është aprovuar vendimi për konfirmimin e interesit publik nga lëshimi i licencës për projektin e kompanisë “Sharr Cem” dhe “Titan America”. 

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, prezantoi Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore në fushën e mjedisit, transportit, energjisë dhe sektorit social.

“Si rezultat i një pune voluminoze të ministrive përgjegjëse, sot para nesh për miratim kemi programin e përbërë prej 55 projekteve në vlerë prej 2.7 miliardë Euro. Çdo projekt i identifikuar është vlerësuar sipas kritereve të dakorduara me Bashkimin Evropian dhe është ranguar sipas rëndësisë strategjike dhe kontributit në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Po ashtu, çdo projekt ka kaluar edhe nëpër fazën e vlerësimit të pjekurisë për investime dhe fillimin e punimeve. Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore do të shërbej si udhërrëfyes për investimet e ardhshme infrastrukturore në Kosovë dhe bazë për orientimin e shpenzimeve tona buxhetore, asistencën e donatorëve dhe negociatave financiare me Bankat zhvillimore”, tha ministri Çollaku. 

Qeveria ka miratuar edhe Koncept Dokumentin për Botimin e Teksteve dhe Mjeteve Shkollore, Lekturës Shkollore dhe Dokumentacionit Pedagogjik. Me miratimin e këtij koncept dokumenti, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të fillojë hartimin e Projektligjit për botimin e teksteve dhe mjeteve shkollore, lekturës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik.

Kryeministri Mustafa e ka quajtur të rëndësishëm këtë vendim.

“Edhe qasja që ka Ministria e Arsimit është shumë konkrete, shumë e dobishme dhe shumë aktuale që të zgjidhet ky problem në afat më të gjatë dhe të racionalizohet edhe sa i përket buxhetit”, tha kryeministri. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*