Opinion

Qeveria megalomane e Mustafës, ky përbindësh i buxhetit të shtetit

Shkruan: Florim ZEQA

Kur njeriu i zakontë dëgjon “projektet” dhe premtimet qeveritare, mendon mos është në ëndërr, ngase realiteti i përditshmërisë kosovare ua thotë të kundërtën që dëgjojnë nga i pari i qeverisë.

Kabineti i kryeministrit Mustafa është më i madhi në rajon, me tre zv.kryeministra, 19 me ministra, mbi 50 zv.ministra dhe qindra këshilltarë, numri i të cilëve asnjëherë nuk u bë transparent për opinionin publik. Ky aparat i zgjeruar byrokratik i qeverisë, është shndërruar në përbindëshin më të madh të buxhetit të shtetit më të varfër në rajon!

Madje, as OJQ-të (që merren me monitorimin e punës së qeverisë) nuk munden asnjëherë të nxjerrin shifrat e sakta të “popullimit” të qeverisë, e aq më të vështirë të përcaktojnë koston financiare të saj !

Për “habi” në përbërjen e qeverisë së re (të vjetër) nuk ndodhet asnjë varfanjak apo njeri i shtresës së mesme në Kosovë. Të gjithë janë pjesë e elitës së të pasurve, liderë dhe militant partish, biznesmen dhe njerëz që udhëheqin agjenci dhe veprimtari (i) legale në Kosovë, thënë ndryshe, Qeveria Mustafa është qeveri milionerësh të pasuruar përmes aferave korruptive!

Ndarja në mënyrë proporcionale e ministrive mes dy partive të mëdha në koalicion (pa përfilljen e kritereve profesionale) dhe shtimi i numrit të ministrive e tregon jo seriozitetin karshi qytetarëve të vendit,…caktimi i nga dy zëvendës ministrave për çdo ministri (nga një për secilën parti) e dëshmon mosbesimin mes partnerëve në koalicion, apo përkthyer ndryshe në gjuhën politike i bie DY qeveri paralele kundrejt njëra-tjetrës.

Qeveria megalomane Mustafa-Thaçi 3, që nga fillimi i punës së saj asnjëherë nuk ka qenë në shërbim të qytetarëve por në shërbim të vetvetes, në shërbim të liderëve partiak dhe militantëve të tyre. 

Qeveria megalomane e Republikës së Kosovës, me një armatë burokratësh është shndërruar në një “kantier”, ku të punësuar janë një klasë analfabetësh, injorantësh, rrugaçësh dhe matrapazësh politik nga militant partiak të partnerëve të koalicionit qeverisës. 

Shuarja dhe shkrirja e disa ministrive në një ministri të vetme është imperativ kohor për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore. Si bie fjala, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal duhet të shkrihet në Ministri të Administratës Publike, pastaj Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës si dhe ajo e Financave duhet të shkrihen në një Ministri të vetme, në atë të Zhvillimit Ekonomik.

Ministria e Diasporës përveçse vend i strehimit të militantëve partiak, ka shërbyer si mekanizëm për manipulimin e mërgimtarëve përmes maskaradave dhe sloganeve mashtruese “Mirë se vini bashkatdhetar”, e jo strehë e zgjidhjes dhe përballjes me problemet e shumta të mërgimtarëve. Si e tillë kjo ministri më mirë është të veproj në kuadrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme,…sikurse që edhe Ministria e FSK-së, me kapacitetet ekzistuese deri në momentin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës do duhej nga fillimi të funksionoj vetëm si Departament i Ministrisë së Punëve të Brendshme, siç është ai i zjarrfikësve apo i rasteve emergjente.

Ministria e Komuniteteve dhe e Kthimit bashkë me Ministrinë për Dialog duhet të shuhen krejtësisht, ngase nuk përkojnë aspak me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë.

Kështu, Qeveria e Kosovës nga 19 mund të reduktohet në 10 deri në 12 ministri, me çka do të kurseheshim qindra miliona euro nga buxheti i varfër i shtetit,…mjete të cilat do të mund shfrytëzoheshin për skema sociale, për fuqizimin e shtresave më të rrezikuara në vend. 

Sigurisht, se një reduktimi të tillë nuk do t’i gëzohen partnerët e koalicionit qeverisës, e në veçanti tri partitë e vogla që janë pjesë e koalicionit qeverisës, Lëvizja për Bashkim, Partia e Drejtësisë dhe Alternativa Demokratike e Kosovës, të cilat do të mbeteshin vetëm si paterica të “elefantëve” në pushtet.

Buxheti për vitin 2016-të, i propozuar nga Qeveria dhe i miratuar në kuvendin gjysmak të Republikës së Kosovës në shumë prej vetëm rreth 1 miliardë e 600 milionëve, është treguesi më i mirë se ky buxhet mund të jetë në përputhje vetëm me nevojat e qeverisë super megalomane, por jo në përputhje edhe me nevojat e qytetarëve,…zhvillimin ekonomik të vendit dhe zbutjen e papunësisë sipas premtimeve elektorale.

Nëse deri dje, qeverisjen e PDK-së e kemi quajtur qeveri të keqe, tani e tutje, së bashku me LDK-në duhet ta quajmë Qeveri të stërkequr, të stërgjatur, të stërshëmtuar dhe stërngarkuar nga lakmitarët e pushtetit,…që nuk kanë të ndalur me kapjen dhe uzurpimin e shtetit.

Shqetësues është fakti i heshtjes së disa prej gazetarëve dhe analistëve, të cilët më parë propagandonin kundër këtij koalicioni qeverisës, ndërsa tani i kanë futur veshët në lesh dhe heshtin, thuajse nuk është duke ndodhur asgjë e keqe në këtë vend!

Madje disa kanë filluar edhe t’i këndojnë himne qeverisjes aktuale duke shtrembëruar realitetin e krijuar; gjoja se me drejtimin e kësaj qeverie nga zoti Mustafa, qytetarëve u është ngritur mirëqenia dhe u janë kthyer shpresat për jetë në vendin e tyre,…duke mbyllur sytë para realitetit kur çdo ditë përmes rrugëve ilegale nga vendi largohen me dhjetëra e qindra shqiptar drejt vendeve euro-perëndimore.

Shpresat dhe besimi i qytetarëve nuk kthehet me bisedimet me Serbinë, nuk kthehet me krijimin e Gjykatës speciale, nuk kthehet me MSA-në, as me liberalizimin e vizave, nuk kthehet as me formimin e ushtrisë së Kosovës (FAK-un),… por besimi kthehet vetëm me zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e skemave sociale, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Në rastin e tanishëm, popullit i mbetën vetëm dy rrugë të shpëtimit nga kjo qeveri dinozaurësh; fillimin e protestave të pandërprera me padëgjueshmëri qytetare deri në përmbysjen përfundimtare të saj ose largimin nga vendi.

Kjo e fundit, largimi nga vendi, do të ishte zgjidhja më fatale për vendin. Vetëm vënia e “lakut në fyt” kësaj qeverie do të thotë shpëtim për vendin dhe shpresë për qytetarët.

Komentoni