Lajme

Qetësia në reformimin e PDK-së

Shkruan: Bahri BIVOLAKU

Partia Demokratike e Kosovës, e themeluar në tetor të vitit 1999, ka një histori të rrugës së krijimit, zhvillimit dhe fuqizimit për të qenë aty ku është sot, mbase me qartësi konceptuale e që qetësisht të reformohet. Vlerat e anëtarësisë së kësaj partie shkojnë përtej këtij perceptimi të ngritur medial për të, në të tashmen politike. Si duket, kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, ka të qartësuar idetë reformuese për të qenë në koherencë me kohën e veprimit dhe shndërrimit të partisë nga një parti tradicionale në parti europiane. Ky rrugëtim, gjithsesi që do t’i ketë vështirësitë e veta, por jo të pakalueshme, mjafton qetësia dhe vullneti veprues. 
Balancimi në përfaqësim të kësaj partie i tri shtyllave kryesore të saja mbase do të jetë evident, pasi që konsideroj që e stërkeqa vije pikërisht nga debalanci i tyre. Mbizotërimi i njërës nga këto shtylla mbi të tjerat, veçanërisht mbi të parën, të cilën e përbënë anëtarësia e dal si fryt i veprimtarëve për lirinë e vendit dhe devotshmërisë për t’i shërbyer atij me nder, e stërkeqë punën e partisë. Në këtë balancë të shtyllave kryesore të partisë, reformimi më i mirë do të ishte kthimi tek anëtarësia e gjerë e kësaj partie, pasi aty i gjen vlerat e reja të fshehura apo të mbuluara padrejtësisht. Gjen devotshmërinë e anëtarëve që politikën e shohin si art të administrimit të perspektivës së gjerë, si art të dijes për të djeshmen dhe të sotmen, apo i të nesërmes dhe të pasnesërmes. Sienergjia dhe komunikimi me të tillët në këtë mes, çlirojnë energjitë krijuese dhe shndërrohen në potencial politik apo vlerë të re politike. Politika e tillë padyshim që do të evolon raportet e autoriteteve, anëtarësisë dhe qytetarëve në hapësirën publike. Në këtë rrugëtim të reformës edhe në qasje, pres që liderët e kësaj partie të zbresin më shpesh në bashkëbisedim me anëtarët e partisë, e pse jo edhe me qytetarët, të komunikojnë me ta për të gjitha proceset, në mënyrë që kjo anëtarësi e qytetari ta ketë ndjenjën e proaktivitetit.
Pas këtij reformimi, unë PDK-në e shoh si parti më të përgjegjshme karshi çdo anëtari e kontribuuesi të saj, më të virtytshme, ku bartësit e funksioneve partiake, qoftë në qendër a degë marrin përgjegjësitë sipas fisnikërisë së origjinës, fisnikërisë së mendimit dhe fisnikërisë së ndjenjave. Apo, siç më tha një veprimtar i madh kombëtar, por edhe partiak nga Ferizaj për këtë çështje: “Duhet të përfundoj politika e avancimeve të petllave, pehlivanëve dhe servilëve steril të politikës”. Zëvendësimet mbase duhet parë e bërë në atë mënyrë që të ngrisin cilësinë e politikbërjes. Zëvendësimet përgjithësisht në politikën kosovare fitojnë në peshë e cilësi vetëm atëherë kur partia arrinë të identifikohet nga qytetarët me program të qartë politik, ekonomik a zhvillimor. 
Krijimi i institutit politik partiak, rritja e dukshme e pjesëmarrjes së gruas në organet vendimmarrëse të partisë, zbatimi në jetë i një programi që avancon tërësisht formën e komunikimit me anëtarësi nga lidershipi, e shumë projekte tjera në zhvillim e sipër, tregojnë se PDK-ja po ecë përpara drejt reformimit me qëllimin e saj për të qenë parti europiane.

 

Reformimi i politikës në Kosovë

Politika në Kosovë me synim evropian, thelb të programit të saj duhet ta ketë dinjitetin njerëzor si pikënisje, gjersa krijon ambient që kundërshtitë të zhvillohen me dinjitet njerëzor. Qytetarët e Kosovës kanë filluar të ngopen me politikën aktuale dhe me të drejtë presin ndryshime e reformime të vet partive politike. Ata madje kanë filluar ta vënë në dyshim kontributin e politikës në zhvillimin e vendit pikërisht nga mungesa e dëgjimit të tyre dhe qartësia e vendosjes së kufirit se ku mbaron politika e fillon kriminaliteti. Veseli si një lider pragmatik politik e ka mundësinë për të bërë kapërcimin kualitativ politik e qeverisës në Kosovë me promovim të kursit evropian të bërjes së politikës duke i dhënë gjallërinë dhe kreativitetin e saj për t’u zhvilluar nga diskutimet mes përdorimit racional të kapitalit që ka vendi dhe nevojave të qytetarëve. Një debat i tillë i hapur me të gjithë rigjallëron politikën në Kosovë dhe eliminon personifikimet politike e personalizimet. Partitë politike në Kosovë duhet të ndërrojnë shumëçka nga vetja e me siguri se duhet të lirohen nga individë të caktuar dhe në këtë gjë shpresoj që tani e kanë të qartë, por po presin se cila po fillon e para, gjendje kjo që përshkruhet si një anekdotë popullore shqiptare: Ankohet njëri për dhëmballë. A fort po të dhemb?-e pyet shoku. Mjaft, më mbyti! Me qenë e imja, kisha me e heq. Edhe un kisha me e he, me qenë e jotja. Dikush duhet të filloj i pari me e heq dhëmballën ta shohim se cila parti politike e ka këtë guxim. Politikanëve të lirisë nuk duhet t’u mungoj virtyti kryesor siç është guximi. PDK-ja në këtë fazë nuk pres që të shpenzoj energji e as kohë që të merret me akuza për të sotmen. Përgjigja më e mirë do të ishte suksesi që qetësisht të reformohet. Ajo suksesin e saj duhet ta kërkoj gjetkë dhe në organizimin e saj më të mirë. “Suksesi vjen tek ata që janë shumë të zënë duke e kërkuar atë” thotë një mendimtar.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*