Lajme

Qendrat tregtare mashtrojnë konsumatoret me zbritje të çmimeve

Mashtrime të shumta në zbritje të çmimeve po bëhen nga ana e qendrave tregtare në vendin tonë. Blej një produkt, merr një tjetër gratis, apo edhe zbritje deri në 70  për qind, janë vetëm disa prej ofertave që ofrojnë marketet për qytetarët. Këto aksione nga ekspertët e ekonomisë shihen vetëm si mashtrime për konsumatorët, pasi shumë herë nuk janë reale.

Konsumatorët e produkteve ushqimore  pothuajse çdo ditë hasin në oferta për zbritje të çmimeve në shumë produkte, por, sipas konsumatorit Isuf Avdullahu, këto çmime bëhen vetëm për t’i joshur klientët, pasi në të shumtën e rasteve këto zbritje nuk janë të vërteta, apo ndodh ulja në një produkt dhe ngritja në produktin tjetër.

 “Tash shkojmë e shikojmë se cili produkt është në zbritje! Ky është vetëm mashtrim, pasi nuk ka zbritje, ka vetëm ngritje. Për fitime të veta e bëjnë këtë. Nuk ka inspekcion që del t’i kontrollojë, veç t’i marrësh e t’ia çosh në zyrë për t’i thënë qe çka po ndodh!”, tha Avdullahu.

Mashtrime të shumta u bëhen konsumatorëve edhe në arkat e shitjes, edhe nëse produkti e ka çmimin e ri me ulje, prapë në faturë shtypet çmimi pa zbritje, gjë që dëmton xhepin e konsumatorit.

Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë, thotë se ulja e çmimeve është kulturë e bizneseve, sidomos në ato produkte që kanë afat të shkurtë që pothuajse ka skaduar.

“Zbritjet e çmimeve më shumë janë artificiale se sa mund të jenë reale dhe bëhen për t’i joshur konsumatorët. Kjo duhet të kuptohet se është një kulturë e bizneseve, sidomos e atyre produkteve me skadim të shpejtë”, tha Rexhepi.

Ndue Marku, furnizues me mallra në një qendër shitjeje në Prishtinë, thotë se uljet në çmimet e produkteve vijnë nga vendi i prodhimit, dhe se asnjëherë nuk ndodh që uljet në çmime të ndodhin për shkak të afatit të shkurtë të prodhimit, përjashtuar disa produkte të qumështit apo mishit.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*