Lajme

Qendra e Studentëve përgatitet për pritjen e studentëve

Studentët që sivjet kanë fituar të drejtën për t’u bërë banues të Qendrës së Studentëve në Prishtinë do të fillojnë banimin në kushte të reja dhe ndryshime që janë bërë nga kjo qendër.

Kjo qendër risitë i filloi me mënyrën e re të aplikimit online për banim dhe ushqim që sipas shefit të konvikteve, Isak Beha ka qenë mënyrë më transparente.

Mensa e Studentëve që ofron shujta për studentët banues në konvikte dhe më gjerë, përveç ndryshimit estetik në pamje ka investuar edhe pajisje dhe infrastrukturë.

Drejtori i Mensës, Fahri Osmani, vlerësoi se ndryshimet si shtrimi i dyshemeve dhe blerja e pajisjeve të reja do të ndikojnë pozitivisht tek punëtorët dhe studentët.

“Këto investime do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në punën tonë si punëtorë dhe menaxhment i mensës. Po ashtu këto do të reflektojnë pozitivisht edhe tek studentët sepse me ndërrimin e inventarit të ri ne jemi të gatshëm që të rrisim edhe numrin e studentëve ushqyes në mensë”, tha Osmani për KALLXO.com.

Ndërsa Shefi i Konvikteve Isak Beha tregoi për investimet brenda konvikteve në dhoma dhe salla leximi si dhe për ndërtimin e konviktit të ri që sipas do të akomodojë rreth 300 studentë.

“Është duke u ndërtuar konvikti i tretë pas luftës. Qendrës së studentëve do t’i shtohen edhe 300 vende të reja që sado kudo do ta zbusë mungesën e vendeve sepse ne kemi jashtëzakonisht kërkesa të mëdha nga studentët për tu bërë banorë të konvikteve”, tha Beha.

Akomodomi në konvikte veçse ka filluar ndërkaq Mensa e Studentëve do të fillojë punën nga 3 tetori pa ndryshime në çmim apo shujta për këtë të fundit.

Për t’u akomoduar në Qendrën e Studentëve, përfshirë edhe shërbimet e mensës, një student duhet të paguajë 35 euro në muaj, ndërsa ata që e shfrytëzojnë vetëm mensën duhet të paguajnë 15 euro në muaj.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*