Bota

Putin aludoi fuqishëm se do të jetë kandidat presidencial

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka aluduar fuqishëm se ai do të synojë rizgjedhje në mars të vitit 2018 dhe se së shpejti do ta shpall vendimin.

Këto komente ai i ka bërë sot në Moskë gjatë një manifestimi që duket se ishte me një skenar tejet të detajizuar.

I pyetur nga udhëheqësi i kësaj ceremonie se a do të garojë në zgjedhje, që do të organizohen më 18 mars, Putin u përgjigj duke pyetur se nëse publiku i pranishëm, kryesisht i përbërë nga të rinjtë, dhe të tjerët, do ta mbështesnin kandidaturën e tij.

Pas brohoritjeve “po” nga publiku, Putin tha se “në këtë rast, vendimi do të bëhet në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh mbështetjen nga shoqëria”.

Kjo paraqitje është transmetuar direkt në televizionin shtetëror.

Prej vitit 1999, Vladimir Putin ishte president ose kryeministër dhe gjerësisht pritet që në zgjedhjet e marsit do të synojë edhe një mandat të ri gjashtëvjeçar.

Popullariteti i tij, kontrolli ndaj levave të pushtetit, vitet e hapave për t’i shtypur ata që mendojnë ndryshe dhe margjinalizimi i rivalëve politikë, praktikisht sugjerojnë se ai do të triumfojë.

Komentoni