Lajme

Pse mungon Dita e Kërpudhave në Kosovë?

Shkruan: Florim ZEQA

Këtyre viteve të fundit qytetarët e vendit tonë, me të hapur televizionin, në emisionin e mëngjesit apo në lajmet e mbrëmjes dëgjojnë për “Ditën ndërkombëtare” të; tokës, ujit, rrushit, mollës dhe artikujve tjerë ushqimor,.. ditën e demokracisë, ditën e paqes, ditën e viktimave,… e deri të shënimi i gjërave më banale që s’kanë të bëjnë fare me jetën e qytetarëve tonë.

Ditë më parë presidenti i vendit ishte në një fshat të komunës së Istogut (Kovragë) për shënimin e “Ditës së mollës”, me ç’rast, atë ditë nga pemëtarët e Kovragës i është ndarë mirënjohje presidentit Thaçi për “kontributin e tij për zhvillimin e sektorit të bujqësisë” në Kovragë dhe Istog,…përderisa në anën tjetër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e mirëpritën presidentin me pankartën; “Pushtetarët “Pronto”, mollët rritën më mirë e më shumë pa ju”!

Edhe pse deri më sot, askush nga pushtetarët nuk e përmendi “Ditën e Kërpudhës”, shiu i parë që bie në muajin Shtator, është dita që më së shumti i gëzon banorët e varfër të fshatrave malore të Kosovës, e në veçanti të Rrafshit të Dukagjinit,…të cilët për disa ditë e javë rresht sigurojnë kafshatën e gojës nga mbledhja e kërpudhave nëpër luginat dhe majat e maleve më të ngjeshura me lloj-lloj drush, ku në mesin e tyre ndodhen edhe lloj-lloj zvarranikësh të rrezikshëm për jetën e njeriut.

Për dallim nga Mollët e Kovragës, që janë produkt i punës së pemëtarëve të vyeshëm të asaj ane, Kërpudhat e Maleve janë kryekëput dhuratë e natyrës, të cilat mbijnë e rritën gjatë natës në malet tona, pa pasur nevojë për përkujdesje të askujt.

Edhe pse mbledhja e kërpudhave nuk është aq punë e lehtë dhe pa rreziqe, shkaku i prezencës së madhe të gjarpërinjve,…të varfrit, të harruarit e shtetit, nga mëngjesi i hershëm e deri në mbrëmje vonë ia mësyjnë zonave malore ku llogaritin të gjejnë sa më shumë kërpudha.

Edhe puna e kërpudhave është sikurse puna e gjuetisë, dikujt i buzëqesh fati më shumë e kujt tjetër më pak. Me t’u kthyer në shtëpi, problem u mbetet shitja e tyre, ngase nuk kanë ndonjë pikë të caktuar të shitjes. Si çdo herë mbetën në mëshirën e fatit, se kush do të vije i pari në fshat për blerjen e kërpudhave të tyre, ngase me kalimin e orëve kërpudhave u bie vlera, derisa edhe dëmtohen tërësisht.

Në mungesë të ndonjë pike të rregullt grumbulluese, kërpudhat e mbledhura me mund e me djersë shitën lirë,…për t’u kontrabanduar disa herë, deri sa të mbërrijnë tek destinacioni i fundit, i cili e fiton dhjetëfishin e çmimit të blerjes.

Mbase dikujt mund t’i duket banale çështja e kërpudhave, por biznesi profitabil me kërpudhat sikurse edhe bizneset tjera kanë ekzistuar vite më radhë para luftës, për të vazhduar edhe në ditët e sotme. Ky lloj biznesi është realizuar dhe realizohet në bashkëpunim me biznesmenët serb, që destinacion të fundit e kanë tregun evropian. 

Nuk është se pushtetarët dhe policia e Kosovës nuk janë në dijeni për këtë lloj biznesi mjaftë profitabil, jo që nuk i dinë dilerët dhe destinacionin e tyre,…e kanë zgjedhë heshtjen si mbulesë para një kontrabandimi të tillë të mundit dhe djersës së qytetarëve të varfër të këtij vendi.

Se sa është i lartë çmimi i kërpudhave në shtetet perëndimore, po ua ilustroj me një shembull të thjeshtë të tregut të shitjes në Itali; ku vetëm 10 gram kërpudha të terura në shitoret italiane kushton më shtrenjtë se 1 kg i blerjes së të njëjtave në Kosovë!

Andaj do të ishte mirë, që presidenti Thaçi dhe kryeministri Mustafa bashkë me kryetarin e Mitrovicës zotin Bahtiri, t’i vizitojnë këto ditë banorët e fshatrave malore të rrafshit të Dukagjinit,…në mos “mirënjohje”, nga ta mund të marrin si shpërblim nga 1 kg kërpudha sa për ta shënuar “Ditën e Kërpudhës”, e munguar deri më tani në ditarin e atyre që merren me shënimin e “ditëve” të veçanta në vendin e paradokseve më të mëdha në botë, të quajtur me emrin Kosovë.

Megjithatë kjo nuk ka gjasa të ndodhë, ngase se liderët e sipërpërmendur shtetëror, shkojnë aty ku flitet për miliona, e nuk e qajnë kokën për mirënjohje dhe as për hallet dhe peripecitë e qytetarëve të varfër të vendit të tyre.

U shitën apo jo kërpudhat, i shtien “turrshi” apo i hedhin të nesërmen në plehra prapë mbetët problem i shtresave më të varfra dhe më të pambrojtura të vendit tonë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*