Opinion

Pse hesht shkenca dhe diplomacia kulturore e Kosovës?

Shkruan: Bahri BIVOLAKU

“Të mos dimë se çfarë ngjarjesh kanë ndodhur para nesh është njësoj sikur të mbetemi gjithmonë fëmijë”- kishte porositur mjeshtri i fjalës Ciceroni. Vërtetë ne në Kosovë si shoqëri karshi propagandës së organizuar serbe, e cila për bosht ka shërbimin sekret serb, Akademinë e Shkencës dhe Arteve, diplomacinë, kishën ortodokse e tjerë, po sillemi sikur të mbetemi gjithmonë fëmijët e llastuar duke thonë: “Hajt more se ka kush na i kryen punët tona” e më pastaj po na dalin pengesat dhe po merremi me pasojat. Kujtojmë kohën e propagandës së orkestruar mirë nga ana e serbëve nga të gjithë këta akterë për rolin e luajtur në mospranimin e Kosovës në UNESCO, gjersa ne, apo akademia jonë e shkencave heshte, siç heshtin edhe institutet tjera kompetente e mos të flasim për shoqërinë civile, lobimin e diplomacisë sonë kulturore etj. Këtyre ditëve në Kosovë qëndroi një delegacion me punëtorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, duke vizituar manastire e kisha, në atë mënyrë që diplomatët e ardhshëm të frymëzohen se si të vazhdojnë të bëjnë fushatë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe promovuar tezën e tyre për gjoja trashëgiminë kulturore serbe në vendin ku ka lind gjoja shteti i Serbisë, pra kuptohet në Kosovë. A thua se çfarë bëjnë kolegët e tyre të Kosovës dhe a kanë se çfarë të prezantojnë në arenën ndërkombëtare, për të dëshmuar se trashëgimia e tillë kulturore e fetare është vlerë e qytetarëve të këtij vendi si pasojë e pushtimeve të ndodhura nga perandori të ndryshme, e të cilat bartnin me vete ndikimin fetar. Populli shqiptar këtë histori të zhvillimeve më së mirë e dëshmon me përkatësinë fetare nga të tri besimet, e që nuk e kanë serbët dhe shumë kombe tjera. Sikur kjo trashëgimi kulturore të mos ndjehej si e tyre në etapa të ndryshme kohore, me siguri se nuk do të ruhej me fanatizëm nga shqiptarët e këtij vendi. Shqiptarë të besimit ortodoks kishte në Kosovë e madje gjerë në Serbinë qendrore, siç ka edhe në Shqipëri e në viset e banuara me shqiptarë në Maqedoni, por ata u asimiluan me ndikim të kishës serbe. Ato objekte të trashëgimisë që Serbia pretendon të jenë serbe, janë të shqiptarëve të besimit ortodoks në këto treva.
Propaganda e zezë serbe i shërben provokimit të vazhdueshëm të gjendjes

Serbia karshi Kosovës që nga paslufta është duke përdorur një propagandë të zezë. Po përdorë material të atribuuar në mënyrë të rreme që i shërben provokimit të vazhdueshëm të gjendjes. Pjesë manipuluese e saj janë edhe ca serbë të Kosovës, porse shpeshherë pre e kësaj propagande bien edhe mediat e Kosovës. Kjo propagandë nuk shërben për të grumbulluar informacion, por për të ndikuar në ngjarjet e Kosovës si përpjekje për të destabilizuar qeveritë, por dhe vendin. Heshtja jonë karshi këtyre zhvillimeve po len terren të mjaftueshëm për të arritur tek qëllimi. Propaganda e zezë që e ka vënën nën funksion Serbia karshi Kosovës, është e ngjashme me propagandën e Hitlerit, të orkestruar nga Joseph Goebbels, fushatë nga e cila doli populli gjerman i indoktrinuar me teori të rreme raciale mbi dominim dhe nënshtrim të popujve tjerë. Serbia me propagandën e zezë dhe agjitacionin që e zhvillon, gjithsesi e dëshiron dominimin në Ballkan, duke konsideruar kombin e tyre dominues apo superior ndaj të tjerëve, madje duke lancuar teza të tilla të rreme për ekzistencën e teorisë së krijimit të shtetit serb mu në Kosovë. A thua një shtet si Serbia me një propagandë dhe qëllim të tillë destabilizues në regjion e meriton të jetë kandidate për vend anëtar i Bashkimit Europian?

Komentoni