Gjeopolitikë

Pse BE nuk deklarohet lidhur me arrestimin e shtetasve të Kosovës nga Serbia?

Ditëve të fundit, Drejtori i së ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric ka ngjallur reagime me deklaratat e tij për Kosovë. Këto deklarata dhe arrestimi i drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, vijnë në një kohë kur bisedimet e Beogradit dhe Prishtinës zhvillohen në Bruksel. Por ky acarim i raporteve i provokuar nga Beogradi ndodhë disa ditë  pas referendumit të RS në BH që vazhdon të kritikohet nga qarqet diplomatike ndërkombëtare. Beogradi vazhdon të zhvillojë një politik dinakërie ndaj fqinjëve pavarësisht proklamimit se do të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon si kusht i integrimit në BE. Deri më tani ajo nuk ka marrë një kundërpërgjigje të qartë dhe të formuluar mirë nga ana e Kosovës lidhur me arrestimin e qytetarëve të saj në emër të “krimeve” të supozuara nga lufta e fundit. Madje Beogradi ka hartuar edhe strategji për arrestime për krimet e supozuara të shtetasve nga ish vendet e Jugosllavisë për të cilën me javë kishte reaguar Kroacia duke kërkuar nga Serbia të heq ligjin për juridiksion universal për krime lufte. Serbia ka hapur bisedat në Bruksel për dy kapituj në bisedimet për anëtarësim kapitulli 23 që ka të bëjë me gjyqësi dhe të drejtat themelore dhe 24 lirinë, drejtësinë dhe sigurinë. Kroacia një kohë nuk ka dhënë pëlqimin për hapjen e kapitullit të 23 duke kërkuar nga Serbia garanci se nuk do ta keqpërdorë ligjin e saj për juridiksion universal për gjykimin për krime lufte. Kjo kërkesë e Zagrebit është përfshirë në formulimin e KE ku theksohet “Nevoja për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira ndër fqinjësore në procedimin e krimeve të luftës duke përfshirë edhe qëllimin që të shmangen konflikti te juridiksionit”.

Por Beogradi nuk do që ta shfuqizojë juridiksionin universal që del nga Ligji serb për organizimin dhe kompetencat e organeve shtetërore në procedurën për krime lufte të kryera në territorin e ish Jugosllavisë. Pra ajo nuk heq dorë nga ndjekja e shtetasve të jashtëm për krime lufte me gjithë rekomandimet KE qe të bashkëpunojë dhe koordinohet me shtetet e dala nga ish Jugosllavia. Andaj BE, edhe pse është pritur, nuk ka reaguar lidhur me rastin e arrestimit të Thaçit, pasi në bazë të rekomandimit mbetet çështje e Beogradit dhe Prishtinës. Madje ajo e ka paraparë në strategjinë e saj të vitit të kaluar duke e ngritur në nivel nacional. Në rekomandimet e saj, BE merr në dijeni informatat e azhurnuara që Serbia I ka dhënë për zbatimin e procedurave hetimore dhe gjykime për krime lufte, përfshirë miratimin e strategjisë nacionale për procedimin e krimeve të luftës në shkurt të vitit 2016 si dhe planifikimin e miratimit të Strategjisë së Prokurorisë për hetimin dhe procedimin e krimeve të luftës. Sidomos konstaton se përmes kësaj strategjie dhe planit veprues Serbia ka ndërmend në mes tjerash që të përkujdeset që të gjitha akuzat prioritare dhe serioze të hetuara në mënyrë adekuate që gjykata njëjtë të veprojë ndaj të dyshimtëve dhe që viktimat dhe dëshmitarët në mënyrë adekuate të mbrohen. BE nënvizoi nevojën që përmes bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore në çështjet e krimeve të luftës, përfshirë edhe qëllimin që ti shmanget konfliktit të kompetencave. Beogradi si pikë nisje ka marrë Rezolutën e parlamentit evropian nga shkurti I 2016 ku siç thuhet të gjitha problemet e pazgjidhura në këtë kuptim duhet të zgjidhen plotësisht. Kroacia ka thënë se pa tërheqjen e ligjit kontestues serb për kompetencat rajonale nuk do të mund që Serbia të përmbyllë kapitullin e 23 dhe 24. Përndryshe ky acarim i raporteve ka filluar pas publikimit të një dokumenti intern “non-paper”,të KE, rreth Ligjit mbi organizimin dhe kompetencat e organeve shtetërore në procedurën për krime lufte me të cilën Serbia konsiderohet kompetente për udhëheqjen e procedurave për krime lufte të kryera në territorin e ish RSFJ-së pavarësisht në shtetësinë e kryesit apo viktimave, nuk ‘shkel sovranitetin” e vendeve të ish Jugosllavisë dhe nuk përzihet në çështjet e brendshme të atyre vendeve. Brukseli deklaroi më tej se kjo çështje duhet të zgjidhet me anë të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe në të gjitha rastet kur paraqitet konflikti i juridiksionit. Në Komisionin Evropian thonë se për juridiksioni universal nuk ka legjislacion evropian, por BE njehë ekzistencën e juridiksionit universal në disa shtete anëtare ku ligjet e gjykatave të tyre u kanë dhënë juridiksioni universal. Në kuadër të bisedimeve gjithashtu thuhet se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë “një pjesë thelbësore e procesit të zgjerimit”, dhe se përparimi i Serbisë do të matet po ashtu dhe për këtë arsye si zgjidhë “çështjet e pazgjidhura nga e kaluara, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, konkluzionet përkatëse të Këshillit dhe në përputhje me parimin e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve në përputhje me Kartën e OKB-së, duke përfshirë, nëse është e nevojshme, juridiksionin e detyrueshëm të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë dhe mekanizmin e arbitrazhi “. Kosova nuk është anëtare e BE që të mund të përdorë veton në rrugëtimin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Nisur nga kjo, shtetasit e Kosovës mbesin të rrezikuar nga arrestimet e mundshme. Andaj Kosova duhet që në tavolinën e bisedimeve ta shtrojë këtë çështje qoftë edhe të vejë kusht për vazhdimin e bisedimeve apo vendosjen e masës së reciprocitetit. Kosova mund ta sfidoje Serbinë përballë BE-së me faktin e krijimit të Gjykatës speciale për krimet e supozuara të luftës. (I.K)

1 Koment

Komentoni