Lajme

#Protestoj: Qeveria Zyrë e Papunësisë

Grupi #Protestoj zhvilloi sot një aksion tjetër simbolik para objektit të qeverisë.

Në një aksion simbolik qytetarët nga grupi #Protestoj vendosën para objektit të qeverisë një derë ku shkruhej “Zyrja e Papunësisë”.

Para medieve gjatë aksionit të sotëm të #Protestoj foli Aulona Memeti që u bëri thirrje të rinjve të ngrenë zërin për gjendjen aktuale në Kosovë në emër të atyre që dhanë jetën.

“Prandaj bëhuni të zëshëm kundër krimit, thuani #protestoj në emër të gjeneratave që dhanë jetën për një të ardhme më të mirë. Nesër do të jetë më mirë nëse sot protestojmë,” tha Memeti.

Ajo deklaroi se lufta e viteve 1998-1999 nuk është më arsye për politikanët në lidhje me varfërinë që mbretëron në Kosovë.

“Vendi ynë përballet me shumë sfida, kuptohet, jemi vend i dalë nga lufta dhe në tranzicion, por…kjo nuk është arsye pse ne ende vazhdojmë të përballemi me probleme qenësore si korrupsioni, nepotizmi, papunësia e mbi të gjitha, nuk duhet assesi ta gënjejmë veten se lufta është arsyeja që sot ne jemi vendi më i varfër në Evropë dhe me papunësi marramendëse!” tha Memeti.

Ajo duke folur për papunësinë e të rinjve në një vend që dominohet nga ta, fajin për këtë gjendje ua la politikanëve të përfshirë në bisedat telefonike të botuara në Insajderi prej fillimit të gushtit e deri tash. 

“Eksodi i vitit të kaluar si duket duhet atribuuar Klanit Pronto, i cili duke punësuar servilët, bashkëpartikatët, familjarët ua ka humbur shpresën të rinjve të Republikës së Kosovës. Andaj, ne me ngulm kërkojmë llogaridhënie, politika më të mira qeverisëse e mbi të gjitha, një Kosovë ku çdo i ri dhe e re dëshiron të jetojë,” tha ajo.

Grupi #Protestoj deri tash ka zhvilluar një varg protestash e aksionesh simbolike që nga nisja e publikimeve të bisedave të përgjuara në të cilat zyrtarë të lartë të PDK-së e shtetit dëgjohen të vendosin mes tjerash kush ku do të punësohet.

Pas publikimit të përgjimeve Prokuroria e Shtetit më 26 gusht nisi hetimet ndaj Adem Grabovcit të përfshirit kryesor në to.

Dje prokuroria njoftoi se ka zgjeruar hetimet duke përfshirë në to edhe ministra e deputetë tjerë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*