Lajme

#Protestoj: Qeveria aktuale në shërbim të klaneve e jo në shërbim të qytetarëve

Grupi i qytetarëve #Protestoj ka protestuar edhe sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Protesta drejtonte akuza kundër ish shefit të GP të PDK-së, Adem Grabovci, dhe bashkëpartiakëve të tij të përfshirë në aferën e ashtuquajtur “Dosja e Shefave”.

Në këtë protestë u lëshuan audio-incizimet e Grabovcit të publikuara nga Insajderi muaj më parë.

Protestuesit kanë shfaqur pakënaqësitë ndaj kësaj qeverie duke theksuar se nuk e pranojnë një qeverisje cila është në shërbim të klaneve.

Imer Mushkolaj, nga grupi #Protestoj, e ka quajtur qeverinë aktuale si të shëmtuar, pasi që sipas tij, kjo është në shërbim të klaneve e jo në shërbim të qytetarëve. Mushkolaj tha se protestuesit po kërkojnë çlirimin e institucioneve të vendit.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë rrugëdalje tjetër përpos që të dalin në rrugë dhe të shprehin mllefin e tyre, ndaj pushtetit jofunksional dhe se klika “Pronto” nuk po e integron Kosovën në Evropë, dhe nuk po i liberalizon vizat por krimin dhe korrupsionin”, është shprehur Mushkolaj.

Protestuesit kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të protestojnë, derisa të ketë transparencë dhe llogaridhënie politike nga të gjithë personat e përfshirë në skandalin e përgjimeve.

Pjesëmarrësit e kësaj proteste kanë bërë thirrje për hetim penal ndaj tyre. Ata po ashtu kanë kërkuar të bëhet shkarkimi i bordeve dhe rizgjedhja e tyre. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*