Lajme

Promovohet libri “Ulqini-monumente, portrete, ngjare” i Ismet Karamanages

-Ky aktivitet shënoi në të njëjtën kohë edhe  mbylljen e aktiviteteve të “Skena verore”

Para pak ditësh  në Muzeun e Kalasë së Ulqinit u organizua promovim i librit “Ulqini – Monumente, portrete, ngjarje”, me autor Ismet Karamanages. Ky event shënoi në të njëjtën kohë edhe  mbylljen e aktiviteteve të “Skena verore” pas 24 ditësh aktivitete të larmishme kulturore e artistike të zhvilluara në qytezën mijëravjecare buzë detit. që nga data 1 gusht nën drejtimin e Dr. Nail Draga, N/Drejtor i Qendrës për Kulturë të Ulqinit.

Nën moderimin e Dr. Nail Dragës, paneli përbehej nga Ali Llunji, shkrimtar dhe publicist, Mustafë  Canka, gazetar dhe publicist, Ismet Kallaba, kryetar i “Art-Club Ulqini”, redaktor në periodiken shqiptare “Koha Javore” në Mal të Zi dhe pedagog i gazetarisë pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” si dhe nga vetë autori i këtij libri Ismet Karamanaga.

Të pranishmit patën rastin që përgjatë një ore të dëgjonin diskutimet e të gjithë anëtarëve të panelit duke nisur nga fjala e hapjes së moderatorit Nail Draga. Po ashtu zgjuan kureshtje dhe situata humori edhe dëgjimi i interpretimit në violinë të 82-vjecarit Ali Zhygjeli si dhe leximi i bejteve të Sytki Malohoxhës dhe Silver Korda me banim në Zvicër nëpërmjet videoprojektorit.

Ismet Karamanaga ka lindur në Ulqin në vitin 1948 ku edhe ka kryer arsimin e mesëm në të cilin mësoi në kurse gjuhët gjermane dhe ruse. Studimet e larta i vijoi në Fakultetin Filologjik në Beograd. Ka punuar gjatë sezoneve të verës si përfaqësues i agjencive turistike nga vendi dhe bota. Vitet e fundit ai vijon të shoqërojë grupe turistësh edhe si ciceron duke u folur atyre në 5 gjuhët që zotëron për historinë dhe traditat e qytetit te vjetër bregdetar shqiptar të Ulqinit. Si kryetar i shoqatës “Miqtë e Kalasë” ai ka kërkuar dhe shpallur kalanë e Ulqinit si pretendente të denje për tu radhitur nën mbrojtjen e UNESCO.

“Ulqini – Monumente, portrete, ngjarje” është botim i Shtëpise Botese “Rozafa” në Shkodër.

Mbyllja e aktiviteteve  të “Skena verore” në Ulqin u bë ashti si edhe vitet e tjera pas më se 3 javësh aktivitete nga më të larmishmet letrare dhe artistike si dhe me pjesëmarrjen e dhjetëra shkrimtarëve, poetëve, studiuesve, regjisorëve, aktorëve, përkthyesve, dramaturgëve dhe  piktorëve. nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, diaspora si dhe nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe botës. Së bashku me Kalimerën Poetike dhe Panairin e Librit të nisur respektivisht 25 dhe 15 vjet më parë, Ulqini është shndërruar kështu në një nga metropolet e kulturës mbarë shqiptare. Ideatori dhe realizuesi i këtij eventi tashmë tradicional në Ulqin, Dr. Nail Draga është një ndër veprimtarët më aktivë i cili ka drejtuar për 2 mandate edhe Shoqatën Kulturore dhe Artistike “Art-Club Ulqin” me manifestimin e saj të përvitshëm letrar të organizuar në fillim të muajit gusht “Kalimera Poetike” si dhe për 5 vjet edhe Qendrën për Kulturë të Ulqinit në vartësi të kësaj komune.

Ruajtja e traditave autoktone shqiptare dhe moslejimi i asimilimit në një qytet të vogël si Ulqini lidhet jo vetëm me shkollimin e ulqinakëve në Universitetin e Prishtinës por më kryesorja me rikthimin përsëri të tyre në vendlindje pas përfundimit të studimeve të larta nga vitet ’70 deri në fillim të viteve ’90. Është kjo arsyeja që Ulqini është sot qyteti i vetëm shqiptar në Mal të Zi i cili administrohet nga drejtues shqiptarë të komunës në një kohë që qytete më të mëdhenj shqiptarë si p.sh. Tivari janë sot të asimiluar.

Në të gjitha eventet kulturore edhe të këtij viti që startuan në fillim të gushtit si “Skena verore”, “Kalimerja Poetike” dhe “Panairi i Librit” ka qenë i pranishëm dhe ka përshëndetur në ditët e para të fillimit të tyre  edhe kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu.

Arben LAGRETA

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*