Kosova

Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për aktivistët e VV-së

Prokuroria Speciale e Kosovës i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Themelore të Prishtinës, respektivisht gjyqtarit të procedurës paraprake për vazhdimin e masës së paraburgimit për Atdhe Arifin, Astrit Deharin dhe Egzon Halitin, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak për Frashër Krasniqin, Petrit Ademi dhe Adea Batusha të gjithë këta aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjithë këta aktivistë janë të dyshuar nga Prokuroria Speciale për kryerjen e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës.

Avokati mbrojtës së Petrit Ademit, Tomë Gashi, ka thënë se prokurori ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak për aktivistët e Vetëvendosjes për shkak se sipas tij hetimet ende nuk kanë përfunduar.

Sipas Gashit, prokurori në këtë kërkesë i ka cekur të njëjtat arsye që i kishte cekur herën e kaluar për caktimin e masës së paraburgimit, respektivisht të arrestit shtëpiak për të gjithë të dyshuarit në këtë rast. 

Gjykata Themelore e Prishtinës me datën 30 gusht iu kishte shqiptuar masën e paraburgimit Atdhe Arifit, Astrit Deharit, Egzon Halitit, ndërsa për Frashër Krasniqin, Petrit Ademin dhe Adea Batushën, gjyqtari i procedurës paraprake iu kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.(Zëri)

Komentoni