Ekonomi

Projektligji për Trepçën miratohet nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik

Projektligji për Trepçën, ishte temë qendrore gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.

Kryetari i Komisionit, Mustafa, fillimisht përgëzoi ministrinë përkatëse për hartimin e këtij Projektligji, për të cilin tha se me të do të krijohen mundësi për një orientim të duhur të zhvillimit ekonomik të Trepçës.

Në emër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), foli i pari kësaj ministrie, Blerand Stavileci.

Ai njoftoi se gjatë hartimit të Projektligjit për Trepçën, ministria ka konsultuar ekspertë ligjor dhe të fushës përkatëse. Me këtë Projektligj, tha ai në vijim, është synuar që Trepçës t’i hapet rruga e zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, si dhe të rregullohet statusi i saj, në harmoni edhe me Kushtetutën e vendit.

Duke shtjelluar pjesë të këtij Projektligji, ministri Stavileci në vijim sqaroi se me këtë projektligj është paraparë që statusi i Trepçës të jetë, shoqëri aksionare. Sipas statusit të ri që do të ketë Trepça, tha më tej ai, Qeveria e Kosovës do të ketë 80 % të pronësisë së saj, ndërkaq, 20 % -shi, do tu takojë punëtorëve. 

Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, vlerësuan se miratimi i Projektligjit për Trepçën paraqet nevojë imediate që ky kombinat të rimëkëmbet dhe të definojë të ardhmen e saj ekonomike.

Po ashtu, anëtarët e Komisionit me këtë rast paraqitën edhe vërejtje në përmbajtje të projektligjit, për të cilat deklaruan se do të shqyrtohen gjatë fazës së amendamentimit. Ndër vërejtjet e paraqitura lidhur me Projektligjin ishte mospërfshirja e Kuvendit, përkatësisht, mosdefinimi i rolit të tij mbikëqyrës në asetet e Trepçës.

Duke paraqitur vërejtjet e tyre lidhur me këtë Projektligj, foli edhe deputeti Sasha Milosavleviq, nga Lista Serbe. Ai tha se nuk e përkrahin projektligjin, për të cilin sipas tij nuk janë konsultuar përfaqësuesit e këtij komuniteti, e që janë pjesë e Qeverisë. Këtë pohim ndërkaq e përgënjeshtroi ministri Stavileci, i cili sqaroi se ata kanë qenë të ftuar në të gjitha takimet e grupeve punuese. 

Në fund, Projektligji u përkrah nga Komisioni, si dhe u formua grupi punues për amendamentimin e tij. 

Ky projektligj pritet të jetë në rend dite, në seancën e nesërme të Kuvendit.

Në këtë mbledhje, komisioni ka shqyrtuar dhe përkrahur edhe raportin me rekomandime të Projektligjit për kamatëvonesat dhe transaksionet tregtare. /KI/

Komentoni