KosovaToplajm

Projekti i Malit të Zi për grabitjen e tokave të shqiptarëve

Mali i Zi ia doli të shtinte në dorë mjaft kullota e pyje shqiptare. Lufta për kullosat daton nga fillimi i shekullit XIX, e cila kulmoi në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të kaluar. Një diplomat vjenez theksonte faktin tronditës se gjatë këtyre luftimeve ushtria osmane kishte qëndruar anash, në rolin e “vëzhgueses”, sepse Stambolli e Cetina ishin marrë vesh paraprakisht për t’i falur kullota e pyje palës malazeze, shkruan sot Koha Ditore.

Mali i Zi ia doli t’i zgjeronte kufijtë e tij në kurriz të tokave shqiptare me vendimet e fuqive të mëdha (1878, 1913). Ky zgjerim ndodhi në radhë të parë falë ndihmesës së Rusisë, si dhe gatishmërisë së Perandorisë Osmane për të hequr dorë nga kufijtë e saj, prona ndër shekuj të shqiptarëve.

Për Rusinë, zgjerimi i kufijve të Malit të Zi ishte në kuadër të projektit të saj strategjik për dominimin e Ballkanit përmes popujve sllavë ortodoksë. Ndërsa për Perandorinë Osmane lëshimet pe në dëm të tokave shqiptare përbënin diç cikërrimtare në krahasim me tokat që i posedonte në tri kontinente. Kështu Mali i Zi ia doli të shtinte në dorë mjaft kullota e pyje shqiptare.

Shfrytëzimi i fisit të asimiluar shqiptar

Lufta për kullosat daton nga fillimi i shekullit XIX, e cila kulmoi në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të kaluar, atëherë kur Mali i Zi do t’ia dilte të zotëronte një pjesë sado të vogël të projektit të tij tejet ambicioz. Për këto ngjarje të përgjakshme flasin gjerësisht sidomos burimet vjeneze.

Sipas tyre, sunduesi malazias Nikola Petroviq I, për jetësimin e këtij projekti shfrytëzoi fisin e Vasojeviqit, njërin nga shtatë fiset e asimiluara shqiptare, i cili kufizohej me trevat shqiptare nga Selca e Nikçi deri në Beranë. Luftën për pushtimin e kullosave shqiptare sovrani malazias e arsyetonte se kështu do t’u “merrej haku” atyre për betejat e humbura në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1879-1880), si dhe, për t’iu kundërvënë ngritjes së Kullës në Çakorr, një pikë me interes të veçante strategjik për këtë vend.

Lufta e parë shqiptaro-malazeze për kullosat, sipas burimeve të përmendura, u zhvillua më 20 gusht të vitit 1902.

Komentoni