Ekonomi

Programi KEDS Academy bëhet gati për gjeneratën e katërt

Arta Grajçevci, studion në Universitetin e Prishtinës elektroenergjetikë. Por siç dihet fakultetet tona kanë pak mundësi për të praktikuar mësimet, gjë që studentët i lë deri në njëfarë mase të hendikepuar për të hyrë në tregun e punës.

Por jo edhe Artën. Ajo ka pasur fatin të pranohet si kandidate e gjeneratës së tretë të KEDS Academy, që është një program disa mujor mësimi për studentë e nxënës të drejtimeve teknike.

Ky program përveç ligjërimeve u ofron kandidatëve edhe praktikën në terren dhe në premisat tjera të KEDS-it.

Kjo e ka bërë Artën edhe më entuziaste që në të ardhmen të bëhet një inxhiniere e suksesshme.

“Ligjëratat që i kemi mbajt nga profesorë të ndryshëm e të kualifikuar na kanë ndihmuar shumë në zgjerimin e njohurive si teorike ashtu edhe praktike. Mundësia që na është ofruar nga KEDS ka qenë mjaftë e nevojshme për të rinjtë pasi që ju ndihmon që të qasen më lehtë në tregun e punës”, tha Grajçevci.

Edhe studentja Doruntina Morina, tha se përmes Keds Academy i është ofruar mundësia që ta shohë si funksionon rrjeti energjetik në praktikë.

“Kemi mësuar shumë për punën dhe të gjitha procedurat tjera në sistemin e energjisë elektrike dhe besoj që bazën se si bëhet kjo punë tash veç se e kemi”, tha Morina.

Sipas Viktor Buzhalës, zëdhënës i KEDS-it, deri me tani tri gjenerata kanë qenë mjaft të suksesshme dhe pjesa dërmues e këtyre të rinjve tashmë janë punësuar.

Ai tha se tashmë kanë filluar përgatitjet edhe për gjeneratën e katërt dhe se janë nënshkruar marrëveshje me të gjitha Universitetet Publike të Kosovës.

“Programi ka qenë mjaftë i suksesshëm , ka gjeneruar vende të reja pune ku janë punësuar një pjesë e madhe e studentëve dhe nxënësve, si dhe ka ndikuar në avancimin e njohurive tek të rinjtë ”, tha Buzhala.

KEDS Academy ka marrë edhe çmime ndërkombëtare për përgjegjësi shoqërore si çmimet Stevie në Paris, PR News në Washington.

Ky program ka pasu vazhdimisht bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Faton Fetahu, asistent i Ministrit të Arsimit, tha se Keds Academy përveç që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, gjithashtu ofron mundësi edhe për punësim.

“Programet e KEDS Academy, programi i praktikës në ndërmarrje ofron mundësi të zhvillimit profesional, avancimin e njohurive dhe shkathtësive të fituara në shkollë në një ambient real pune. Këto mundësojnë zhvillimin e kompetencave profesionale tek nxënësit dhe mundësi shumë të mira punësimi”, tha Fetahu.

Fetahu tha se MAShT-i ka ndërmarr aktivitete konkrete për lidhjen e arsimit me tregun e punës përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit, siç është kjo me KEDS Academy. /rtk/

Komentoni