Ekonomi

Produktet e drurit nga Kosova ekspozohen në Panairin M.O.W në Gjermani

Për të dytin vit me radhë, produktet e drurit nga Kosova prezantohen në Panairin Ndërkombëtar të Mobilierisë “M.O.W” që mbahet në Bad Salzuflen në Gjermani nga data 18– 22 shtator 2016.

Kompanitë e Kosovës që do të prezantojnë produktet e tyre janë: “Tefik Çanga”, “Elnor”, “Dekoriti”, “Deva”, “Balaj”, “Kelmendi”, “Shehu” dhe “Arta”.

Pjesëmarrja e kompanive nga Kosova në këtë panair u mbështet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK), dhe EMPOWER Sektori Privat i USAID-it në partneritet me SIDA-n.

Panairi “M.O.W” është një mundësi e shkëlqyer për këto kompani që të prezantohen para bizneseve të mëdha nga Evropa, pasi ky panair tërheq çdo vit shitësit më të fuqishëm të produkteve të drurit, shitore të specializuara, zinxhirë, dhe më e rëndësishmja, platforma të shitjes përmes internetit.

Por këtë vit dhe në këtë panair evropian, kompanitë nga Kosova kanë një përparësi të madhe, pasi për të parën herë do të mbështeten nga Agjencia e Shitjes së Produkteve të drurit nga Kosova në Gjermani, e cila u inaugurua në qershor të këtij viti.

Kjo agjenci e menaxhuar nga Kelmendi Holzmobel, bën shitjen online të produkteve kosovare përmes platformave www.cleveroo.com dhe www.amazon.de . Këto produkte shiten nën brendin Schwarzwald Massivholz, të zhvilluar enkas për produktet kosovare.

Qëllimi kryesor për pjesëmarrje në panair është nxitja e eksporteve të prodhuesve të mobilieve përmes kontakteve të reja që do të krijohen gjatë ditëve të panairit. 

Panairi “M.O.W” organizohet çdo vit që nga viti 1984 dhe është një nga panairet më të mëdha evropiane të mobilierisë. /KI/

Komentoni