Ekonomi

Prodhuesit e komunës së Vitisë përgëzojnë për lehtësirat që ka marrë Qeveria e Kosovës për prodhuesit vendor

Ministri i Financave Avdullah Hoti i shoqëruar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami sot gjatë vizitës në komunën e Vitisë janë pritur në takim nga kryetari i komunës Sokol Haliti, nga i cili u njoftua për të arriturat e komunës së Vitisë, sidomos në inkasimin e të hyrave komunale, inkasimin e borxheve të akumuluara duke shfrytëzuar implementimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, për projektet zhvillimore dhe financiare të kësaj komune, si dhe për projektet të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. 

Me këtë rast Ministri Hoti tha se komuna e Vitisë ka arritur që të krijoj një ambient më të mirë për të bërë biznes dhe gjithashtu shprehi përkrahjen e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për Kryetarin Haliti në realizimin e projekteve të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve të kësaj komune. 

Ndërsa kryetari i kuvendit komunal të Vitisë Sokol Haliti duke përshëndetur Ministrin Hoti dhe Ministren Bajrami për vizitën tha se kisha nderin që sot ti kem për vizitë dy ministra të cilët janë duke i dhënë frymë biznesit në Kosovë, por njëherit edhe mora përkrahjen për të ecur më tutje me ndërtimin e Parkut të Biznesit, po ashtu mora përkrahjen edhe për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në komunën tonë. 

Gjatë qëndrimit në Viti, Ministri Hoti dhe Ministrja Bajrami së bashku me kryetarin e kësaj komune Sokol Haliti vizituan Kompaninë “Euro Fisi” ku u njoftuan nga afër për prodhimin e stiroporit dhe për ndikimin e lehtësirave për prodhimet vendore.

Pronari i Kompanisë “Euro Fisi” Ismajl Shallti bëri të ditur se “Që nga viti i kaluar kanë filluar ti ndiejnë lehtësirat që ka marrë Qeveria e Republikës së Kosovës për prodhuesit vendorë.

Sipas tij lehtësira e parë për ta ka qenë mos pagesa e TVSH-së në kufi dhe e dyta lirimi nga taksat doganore për importimin e makinerisë prodhuese.

“Ne tashmë e kemi sjellë në fabrikën tonë makinerinë për prodhimin e rrjetave fasaduese me përbërës (fibra qelqi) edhe për këtë hasëm në lehtësira nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me qenë se të gjitha makineritë prodhuese i kemi futur në Kosovë pas një taksë doganore. Kjo mos pagesa e taksave doganore në kufi është një lehtësim i madh për ne si prodhues.

Ai gjithashtu bëri të ditur se me ardhjen e ministrit Avdullah Hoti në Ministrinë e Financave, ne si biznese kemi një vullnet më të madh për të punuar, sepse po e shohim më nga afër përkrahjen e shtetit për prodhimet tona, si mundësinë për hapjen e tregut të punës dhe plasimin e prodhimeve edhe jashtë Kosovës. 

Ndërsa, Ministri Hoti edhe njëherë shprehi përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të gjitha komunat në Kosovë, veçanërisht për krijimin e kushteve sa më të mira për bizneset në vend si mjeti më i mirë dhe i vetëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. /KI/

Komentoni