Kosova

Prishtina dhe Prizreni shkojnë në rinumërim të votave (Dokument)

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur që të rinumërohen të gjitha votat në të gjitha vendvotimet në komunat e Prishtinës dhe Prizrenit. Paraprakisht, kërkesën për rinumërimin e votave në Prishtinë, e kishte paraqitur Lidhja Demokratike e Kosovës. Kurse rezultatin e zgjedhjeve në Prizren, e kishte kontestuar Partia Demokratike e Kosovës.

Në garë për kryetar të Prishtinës, janë Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në bazë të rezultateve preliminare, por të cilat pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk do të vlejnë më, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti printe me vota në Prishtinë, me një epërsi jo të madhe.

Edhe në Komunën e Prizrenit, epërsia e kandidatit të Vetëvendosjes, Mytaher Haskukaj ishte e vogël në garën për kryetar me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj.

Po ashtu, PZAP ka vendosur që edhe në Komunën e Dragashit të rinumërohen 35 vendvotime.

Paraprakisht, kërkesat për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Prizren i ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

PZAP është organ i përhershëm, i pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat dhe apelet e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor siç është caktuar me Ligjin e zgjedhjeve të Republikës se Kosovës dhe rregullave zgjedhore. /Kosova.info/

Komentoni